Kryesore Ftesa për Bashën, Rama: Nuk është thirrje për të bërë qeveri bashkë,...

Ftesa për Bashën, Rama: Nuk është thirrje për të bërë qeveri bashkë, ne do të marrim shumicën

Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish ftesën që i ka bërë kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për bashkëpunim. Por kreu i qeverisë ka sqaruar se thirrja e tij nuk është për të bërë qeverinë së bashku, pasi Partia Socialiste do të marrë shumicën absolute. Rama tha se ftesa e tij është për t’u bashkuar në interes të shqiptarëve dhe për t’u ardhur në dobi njerëzve.

“Ju e keni dëgjuar këto ditë muhabetin lidhur me çfarë unë thashë sa i përket bashkëpunimit me Lulzim Bashën dhe PD-në. Natyrisht që mënyra si komentohet është e njëjta, me botoks, ose me shkarravina. Në fakt sot nëse ka këtu në këtë vend veshë që mund ta dëgjojnë dhe kuptojnë deri në fund atë që them janë veshët e nënave, të rejave dhe të moshuarave, janë veshët e gjysheve që me të drejtë kanë shqetësimin, çfarë do të bëjë më shumë Edi Rama, PS, çfarë do të bëjë më shumë politika për ne? Dhe si do bëhen të gjitha këto? Se të bukura duken dhe dakord jemi. Si do bëhen të gjitha këto me këtë politikë që është mina me sahat që plas gjatë gjithë rrugës ndërkohë që ne duam të ecim përpara dhe të ndërtojmë. Thirrja për të bashkuar, vetëdija ime se bashkimi dhe tejkalimi i kësaj politike është një domosdoshmëri. Bindja ime se dalja përtej tunelit të pandemisë dhe hyrja në një fazë tjetër kur ne kemi mundësinë që diellin e mrekullueshëm të Shqipërisë ta bëjmë të mrekullueshëm jo vetëm për turistët dhe ata që munden, por ta bëjmë një diell edhe për ata që s’munden sot. Nuk është një thirrje për të bërë një qeveri bashkë siç bëri Saliu qeverinë me këtë Liken nga halli kur s’kishte votat, apo siç ka ndodhur bashkimi i partive për interesat e tyre. Nuk ka lidhje fare, ne nuk kemi nevojë, dhe as nuk do të jemi në nevojën që do të kërkojmë vota apo të kërkojmë të tjerë sepse ne në 25 Prill do të marrim shumicën absolute. Por është një thirrje për ta bërë politikën t’i ngjajë sadopak në mos shumë, se shumë do të ishte mrekulli, shqiptarëve. Shqiptarëve përballë tërmetit pandemisë, shqiptarëve përballë rrezikut. Shqiptarët në ato faza i bashkoi ajo që e vuanin njësoj nga brenda, por politika duhet të bëjë që bashkimi të mos vijë nga vuajtja ose nga halli, por nga bindja se ky është detyrimi më i madh, është detyrimi më i rëndësishëm, është detyrimi më i dobishëm ndaj njerëzve. Për ta bërë politikën një hapësirë ku njerëzit të mos kenë frikë të hynë. Kjo qenëri duhet të tejkalohet.

Kjo qenëri duhet lihet pas sepse Shqipëria është shumë e vogël për të mos ia dalë, por duke qenë kaq e vogël është e destinuar të bjerë poshtë kur është e ndarë. Kjo nuk ka lidhje fare me çfarë bën industria e botoksit mediatik. Të gjithë ata që besojnë se nuk ka asnjë rrugë tjetër për të pasur më shumë në jetë se sa të punosh më shumë kanë vetëm një rrugë më 25 Prill, Partinë Socialiste, se nuk kanë tjetër.

Nëse kthehem tek shembullin e asaj gruaje me burrin që luanin bixhoz, në 25 prill, Burri është PD-ja dhe gruaja është PS. Kush do që në krye të vendit  të sillet si një grua voton PS-në, kush do që në krye të vendit të ketë një burrë që luan bixhoz voton PD-në”, tha Rama.