Kompania ajrore italiane Alitalia mbyll sot aktivitetet e saj, pas 74 vjetësh në biznes.
Pandemia e koronavirusit rezultoi të ishte një goditje fatale për kompaninë që prej shumë vitesh përballej me probleme të vazhdueshme.
Gjatë 20 viteve, Alitalia i kushtoi shtetit italian rreth 13 miliardë euro humbje.
Të hënën punonjësit e Alitalia protestuan në Romë për të kërkuar mbështetje nga qeveria.
Edhe vitin e kaluar ata protestuan duke kërkuar zgjidhje.
Alitalia tanimë do t’ia japë stafetën një kompanie të re, Italia Trasporto Aereo (ITA), që do të ketë në bord vetëm 2.800 punonjës, ndërsa 10.800 persona të tjerë që aktualisht punojnë për Alitalia rrezikojnë te mbeten të papunë.
Kompania e re do të jetë një kompani ajrore plotësisht publike.
Punonjësit do të kenë pagat e reduktuara dhe përfitimet e tyre do të shkurtohen.
Pandemia e Covid, menaxhimi i keq dhe borxhet e trashëguara ndër dekada janë padyshim shkaqet më domethënëse, të cilëve i bashkohet gjithsesi edhe një aspekt teknik, që lidhet me ndryshimin e transportit në vendin fqinj.
Rritja e trenit me shpejtësi të lartë ka përgjysmuar destinacionet kryesore të Alitalia në vend, veçanërisht atë Romë–Milano që përfaqësonte një nga asetet më të rëndësishme. Tashmë për 2 orë dhe 30 minuta arrihet në destinacion me tren, pa transferimet e bezdisshme nga qendra për në periferinë e qyteteve ku ndodhen aeroportet, pa masat e sigurisë, pa limitet e kileve në bord.