Kohës së Angela Merkelit në Gjermani po i vjen fundi. Kështu shkruhet në një editorial të revistës së njohur “Spiegel” me autor Dirk Kurbjuweit.
Autori përdor edhe një term të posaçëm: Merkelizmi, i cili përkufizon një periudhë dhe model qeverisjeje në Gjermani dominuar nga konsensusi i përgjithshëm, qetësia dhe mbi të gjitha stabiliteti. Në 12 vjet me radhë këto kanë qenë tiparet e Gjerrmanisë politike duke reflektuar një frymë sigurie edhe në Europën e trazuar nga kriza financiare e vitit 2008 dhe kriza e refugjatëve e vitit 2015.
Tani Merkelizmi është në fund dhe sipas Kurbjuweit, për këtë ndikon edhe fakti se ai konsensusi social që ekzistonte në Gjermani nuk është më. Kriza e refugjatëve ka qenë një pikë kritike në këtë drejtim dhe ajo përçau vendin duke evidentuar si faktor populistët e djathtë. Vendimet e kancelares kanë goditur autoritetin e saj dhe sipas autorit kanë ripërmasuar perceptimin për vijimin e saj në pushtet.
“Synimi i Merkelizmit ka qenë të qetësonte vendin, por poitika e refugjatëve dhe humbja e kontrollit që pasoi nxitën irritim. E shtyu vendin drejt një prej periudhave më të paqëndrueshme. Problemi më i madh i Merkelizmit ka dalë së fundmi në sipërfaqe dhe ai është Merkeli vetë. Ajo asociohet tani me një fund dhe jo me një fillim të ri…Nëse Merkel është kaq e lidhur me stabilitetin atëherë ajo duhet të jetë e aftë të shohë se vendi nuk dontë përfitojë nëse ajo arrin apo kalon rekordin e Helmut Kohl për të qëndruar 16 vjet në zyrë. Edhe Merkel po ashtu duhet të të nisë të imagjinojë të ardhmen e politikës në Gjermani – një të ardhme pa Merkelin”, shkruan Kurbjuweit.
Editoriali vë një bast me zhvillimet e afërta politike në Gjermani duke nënvizuar ndër të tjera se përtej të gjithave, Merkel nuk ishte e aftë për reforma të mëdha.