Sport Fundi i një cikli te Barcelona, Wenger: Duhet të rindërtojë ekipin, por...

Fundi i një cikli te Barcelona, Wenger: Duhet të rindërtojë ekipin, por nuk ka para

A është fundi i një cikli te Barcelona? Diçka që jep sinjale të qarta prej katër sezonesh tani, pasi Blaugrana-t vazhdojnë me paraqitje tronditëse në Champions. Gjithçka filloi në Romë, me “remuntada” e pabesueshme, vijoi me “pokerin” e thellë në “Anfield”, kulmoi me turpërimin 8-2 ndaj Bayern Munich dhe tashmë disfata 4-1 në shtëpi, ndaj PSG. Duket qartë se katalanasit me të vërtetë kanë arritur në pikën pa kthim. Gjithashtu, sepse ngërçet shtohen më shumë në kokë, brenda dhe jashtë fushës. Ky është mendimi i një legjende të futbollit europian, si Arsene Wenger, komentator i “BeIn Sports”, për atë që po kalojnë Blaugrana-t:

“Unë do të thoja që kjo humbje e Barcelonës tregon fundin. Ne kemi parë kaq shumë ekipe të shkëlqyera të Barçës, por në profesionin tonë, nëse një klub i shkëlqyeshëm nuk arrin të blejë lojtarë për dy vite me radhë, do të ketë probleme të mëdha përpara. Barcelona ka bërë gabime për më shumë se dy vite. Kjo tregon se kanë një detyrë të komplikuar përpara, për ta rindërtuar skuadrën dhe për të mos menduar në planin afatshkurtër. Nga ana tjetër, PSG ishte në finale vitin e kaluar dhe tani është përsëri në garë, duke treguar pjekuri, klas dhe organizim. Për mua është ndër favoritët për fitimin e trofeut”.

Pra, e ardhmja duket e errët për blaugrana-t, sipas trajnerit të njohur francez: “Besoj se Barcelona, ​​të paktën duke lexuar gazetat, ka borxhe prej një miliard eurosh. Kësisoj, ajo ka dy të meta të mëdha: duhet të rindërtojnë ekipin dhe nuk ka para. Nuk e di si do t’ia bëjnë. Djemtë e rinj që kanë për momentin nuk janë aq të fortë sa mundësojnë që klubi të kthehet në nivele shumë të larta. Dhe kontrata e Messit skadon në fund të sezonit. Për mua do të duhen tre ose katër vite që Barcelona të kthehet në atë që njohim. Së pari duhet të rregullojë situatën financiare dhe në këtë drejtim duhet të bëjë një zgjedhje të rëndësishme: të rinovojë me Messin apo jo? Problemi është që, nëse rinovojnë kontratën me Messin, nuk do të kenë më para për askënd tjetër”.