Anija ruse që u dëmtua nga një shpërthim të mërkurën është fundosur, njofton ministria ruse e Mbrojtjes.
“Gjatë lundrimit drejt portit që kishte për destinacion anija humbi stabilitetin për shkak të goditjes së bykut me municione shpërthyese. Dhe duke qenë se deti ishte me stuhi, anija u fundos”, deklaroi ministria ruse e Mbrojtjes.
Anija luftarake ‘Moskva’ pësoi dëmtim gjatë momentit që po ankorohej në një port në Detin e Zi.
Anija me ekuipazh prej 530 persona ishte simboli i fuqisë së ushtrisë ruse, raporton BBC.
Kievi pretendon se ka goditur anijen me raketë, por Moska nuk ka përmendur sulmin.
Ushtria e Ukrainës thotë se ka qëlluar anijen ruse me raketë Neptune, armë e krijuar pas aneksimit të Krimesë në 2014.
Të enjten në mbrëmje, mediat shtetërore ruse publikuan lajmin se anija është fundosur.
Më herët, Rusia tha se kishte pasur zjarr në bord për shkak të shpërthimit të municionit.
Anija ‘Moskva’ është ndërtuar në Ukrainë gjatë periudhës sovjetike dhe u vu në shërbim në fillim të viteve 1980.