Forcat Operacionale të Policisë së Durrësit kanë arrestuar një 39-vjeçar të kërkuar ndërkombëtar nga autoritetet italiane.
Këto janë pamjet e arrestimit të tij nga forcat policore, pasi kishin marrë informacion se i kërkuari fshihej në Durrës.
39-vjeçari Ermal (Fation) Skender Dumo po qarkullonte me makinë kur u arrestua nga policia.
Ai është dënuar nga Gjykata e Apelit në Trento të Italisë me 6.9 vite burgim për veprat penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
Në vijim të veprimeve procedurale, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve u bë arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë.
Procedurat për ekstradimin e tij do të kryhen nga Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën.