Policia e Tiranës ka vënë në pranga 5 persona nën akuzën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në zona të ndryshme të jetës së natës së kryeqytetit.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Moncler” u bë i mundur arrestimi i shtetasve L. G., 26 vjeç, E. S., 29 vjeç, banues në Shijak, B. L., 24 vjeç, E. N., 34 vjeç, banues në Durrës dhe M. D., 32 vjeç, banues në Rrashbull, si dhe u sekuestrua 1 kg e 100 gramë kokainë. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi D. B., 34 vjeç.
Në rrugën dytësore Tiranë-Durrës, në afërsi të fshatit Marikaj, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasit e lartpërmendur, dhe gjatë kontrollit të njërit prej automjeteve të tyre, u gjet një pako me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë rreth 1 kg e 100 gr.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë në Durrës, dhe më pas e shisnin atë kryesisht në lokale të natës, në Tiranë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 1 kg e 100 gr lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 3 automjete, 9 aparate celulare, 710 euro si dhe 149 000 lekë.