Kryesore Furtuna “Rama 2”: Të gjitha drejtoritë që do shkrihen. Largohen njerëzit e...

Furtuna “Rama 2”: Të gjitha drejtoritë që do shkrihen. Largohen njerëzit e LSI-së

E ndonëse mandatin e dytë qeverisës e fitoi më shumicë votash, i vetëm me 74 vende në Parlament, Edi Rama e përshkroi edhe më të vështirë se i pari, ku për 4 vite u detyrua të bashkëqeverisë me LSI.

Ky do të jetë mandati më i vështirë….”, u shpreh Rama  si për të treguar se premtimet e fushatës nuk do të mbeten vetëm të tilla deri në 2021, duke shtuar se tiparet dalluese të qeverisë së re i ka gati.

Dhe për të dalluar qeverinë e re, Rama deklaroi sot se qeveria do të ndërmarrë një pastrim të administratës.

Shefi i qeverisë tha se do të shkrijë të ashtuquajturën “policinë gri” që në mbledhjen e para të qeverisë së re.

Do bëjmë largime në bllok drejtuesish, drejtorësh apo shkrirje drejtorish. E ashtuquajtura “Policia gri” do të shkrihet që në mbledhjen e parë të qeverisë”, theksoi Kryeministri Rama.

Me termin “policia gri”, Kryeministri Rama iu referua policisë pyjore e inspektorateve të ndryshme që janë në varësi të Ministrive të ndryshme.

Sipas Ramës, këto inspektorate nuk kryejnë asnjë funksion dhe përdoren për të vendosur gjoba.

Shumica e këtyre inspektorateve drejtohen nga njerëzit e LSI dhe pikërisht për këtë arsye Rama përdori termin “Policia gri” që vendos gjoba.

E në kuadër të reformave reformuese, shefi i qeverisë deklaroi se shumë drejtorë të këtyre inspektorateve e drejtorive që do të shkrihen, do të largohen sa më parë nga detyra.

Ishte Niko Peleshi ai që prezantoi sot në Asamblenë e Partisë Socialiste raportin për ristrukturimin e institucioneve.

Sipas raportit të bërë publik nga Peleshi, propozohet që Drejtoria e Doganave dhe Drejtoria e Tatimeve në varësi të Ministrisë së Financave, të shkrihen së bashku.

Gjithashtu, në Ministrinë e Brendshme propozohet që të ngrihet Agjencia e Mbrojtjes Civile.

Po kështu, në Ministrinë e Arsimit është propozuar ngritja e Agjencisë së Sigurisë së Arsimit Parauniversitar.

Sipas propozimeve të Asamblesë së PS, parashikohet që nga ristrukturimet të preket edhe Ministria e Shëndetësisë.

Peleshi propozoi gjithashtu që të ketë 4 drejtori të arsimit nga 13 që janë aktualisht, si dhe enti i banesave sociale t’i kalojë Bashkive si kompetencë.

Drejtoritë që shkrihen

DREJTORITE QE SHKRIHEN TEK DISA PREJ MINISTRIVE

– Tek Ministria e Bujqësisë shkrihen drejtoritë e Bujqësisë

-Tek Ministria e Financave, Drejtoria e Tatimeve shkrihet me atë të Doganave në Agjensinë Kombëtare të të Ardhurave

-Tek Ministria e Shëndetësisë shkrihen 11 drejtori dhe autoritete rajonale shëndetësore në 4 agjensi të përkujdesit rajonal

Tek Ministria e Brendshme, Drejtoritë e Rezervave Materiale dhe Emergjencat Civile shkrihen në Agjensisë e Mbrojtjes Civile

– Tek Ministria e Mirëqënies Sociale shkrihen 12 Drejtori të Shërbimit Social Shëndetësor në 4 drejtori për 4 rajone

Tek Ministria e Arsimit shkrihet Instituti i Zhvillimit të Arsimit dhe Inspektoriati i Arsimit për të krijuar Agjensinë e Sigurimit të Cilësisë të Arsimit Parauniversitar.

Shkrihen 13 drejtori të Arsimit në 4 drejtori të arsimit parauniversitar.

– Tek Ministria e Ekonomisë shkrihet Drejtoria e Akreditimit me Drejtorinë e Standardizimit. Krijohen Agjensia e Akreditimit dhe Standardizimit

Tek Ministria e Zhvillimit Urban shkrihet Enti i Banesave, krijohet Fondi i Strehimit

ALUIZNI integrohet në Ndërmarrjen e Hipotekimit

– Tek Ministria e Mjedisit, Agjensia Kombëtare e Mjedisit bashkohet me Agjensinë për Zonat e Mbrojtura.