Kastriot Skënderaj është emëruar drejtori i ri i Policisë së Beratit, pas shkarkimit nga kjo detyrë të Edmond Targajt. Përveç kësaj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, vendosi edhe përjashtimin e 7 efektivëve të policisë në Berat, si përgjegjës për mospërmbushje të detyrave në rastin e kultivimin e kanabisit në sera.
Vendimi u mor pas zbulimit të serave me kanabis që u gjetën në fshatin Drenovicë të Beratit. Gjatë analizës së punës, u vendos drejtori i Policisë së Beratit Edmond Tarkaj të ulet në gradë për 6 muaj dhe u largua nga drejtimi i Policisë Berat. Ai është transferuar në Akademinë e Sigurisë.
Gjithashtu, për shkelje të rëndë u përjashtuan nga Policia e Shtetit 7 punonjës, konkretisht:
kryekomisari Baku Musaku me detyrë shef sektori, kryekomisari Sokol Lazaj shef komisariati, komisar Ardit Hasanbegaj shef i seksionit për krimet, nënkomisar Artan Musaj shef i stacionit të Policisë Dimal, nënkomisar Miço Rakazija special për krimet në Dimal, inspektor Vladimir Toska ndihmës specialist për policimin në komunitet në Dimal dhe inspektori Gazment Sulaj ndihmës specialist për policimin në komunitet në Dimal.
-Është vendosur ulja në gradë, për një periudhë 6-mujore, për zëvendësdrejtorin për Hetimin e Krimeve, në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, Drejtues Sh. Xh.
-Është vendosur dhënia e masave disiplinore “Vërejtje me paralajmërim”, për 8 punonjës policie.
-Është vendosur shtyrja e afatit të gradimit, me 2 vjet, për 2 punonjës të tjerë policie.
Në fund të analizës, Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar “nga të gjitha strukturat e Policisë në qarkun Berat, angazhim, përkushtim, profesionalizëm, bashkëpunim me qytetarët, performancë, reagim në kohë dhe zgjidhje të problematikave në bazë të kompetencave që iu jep ligji”.