Fushata elektorale për zgjedhjet vendore duket se nuk sjell ndonjë zhvillim të ri në aspektin e komunikimit dhe zgjedhjeve që partitë kanë bërë për të arritur pranë votuesit.
Edlira Gjoni, eksperte komunikimi, shprehet për revistën Monitor se fushatës i mungon serioziteti, duke marrë format e një tallavaje dhe cirku, teksa nuk ka llogaridhënie dhe as të rinj që spikasin, kurse gjuha dhe elementet vizuale janë joetike.
Si e cilësoni fushatën që po paraprin zgjedhjet e 14 majit sa i takon mënyrës se si po organizohen takimet me elektoratin, se si po paraqiten ata në veshje, ambientet ku mbajnë këto takime (në rrugë, biznese, sheshe, në stadiume). A vini re ndonjë qasje të ndryshme në raport me fushatat e mëparshme dhe çfarë elementesh bien në sy?
Partia Socialiste e ka komode këtë fushatë, sepse të tillë ia bën opozita e vetë-thërrmijëzuar dhe fakti që shumica e të larguarve nga vendi prej vitit 2015, janë votues të djathtë.
Prandaj, nuk ka arsye pse të mendohet thellë për fushatë serioze dhe ka vendosur të argëtohet me një fushatë tallava. Bën pjesë në personalitetin bullizues e superior që ndien kjo forcë politike ndaj votuesit, të cilin e do të varfër, por të dendur mirë me këngë, valle, propagandë e lugë bosh.
Vazhdimësi e qartë e përqasjes së Partisë Komuniste, që i bënte kooperativistët të këndonin e hidhnin valle me partinë në korrjen e shirjen e grurit, që ishte vetëm minimumi jetik i tyre. Kurse par(t)ia gëzonte mbi harenë e tyre qesharake me lugën bosh.
Për fushatën e së djathtës nuk ia vlen të harxhohet asnjë rresht komentimi. Është një bashkim jonatyral interesash të dy njerëzve në njërin krah, e një grupim i zbehtë që lëviz nëpër Shqipëri me vulë, por pa përmbajtje se ç’të vulosë, në krahun tjetër.
Përdorimi i kanaleve të ndryshëm të komunikimit ka zënë peshë të ndryshme vit pas viti. Ku e shihni se po bëhet më agresive fushata?
Ditët e para pati shpërthime për foton denigruese të kryeministrit Rama, që e theksoi veten me ngjyra e buzëqeshje dhe nxirjen e kundërshtarëve në bardhezi e me kokat poshtë, si të zënë në faj.
Nga ana vizuale, zgjedhja është e shëmtuar dhe psikologjikisht ndikon në mendësinë e votuesit të majtë, të cilit i thekson ekzaltimin.
Njëkohësisht, mpin edhe më tej votuesin e lëkundur, që sado i pakënaqur të jetë me PS, kur sheh foto e retorika të tilla, përforcon bindjen e tij të mos dalë fare në votime këtë vit.
Kjo patjetër çon ujë në mullirin e PS. Ama, edhe pse e shëmtuar dhe me ndjesi përcjellëse të hidhur, posteri i PS-së nuk ishte antiligjor.
Ama ishte joetik dhe i fort i kundërshtueshëm për parimet e një paraqitjeje dinjitoze, nga ata që janë në kërkim votash.
E njëjta logjikë vlen për posterin e ulët të përdorur nga njëri prej kandidatëve të opozitës, i cili shton fyerjen ndaj qytetarëve që palët kanë zgjedhur të bëjnë, pa u shqetësuar për pasojat.
Si e vlerësoni gjuhën e përdorur nga liderët në këtë fushatë karshi rivalit? A është një gjuhë më e moderuar apo më denigruese? Cila është epiqendra apo boshti ku rrotullohen fjalimet: qytetari apo dështimet e palës tjetër?
Gjuha vijon të jetë ajo që politikanët njohin më mirë: ofendimi i tjetrit. Asnjë fjalim i përgjegjshëm, as i ri, as i përgatitur.
Çdo fushatë është me moton “nisemi sot për një xhiro në x fshat”, dhe njëlloj si në Koncertin e Vitit 1936, dalin para turmës për të bërë cirk me sulme ndaj kundërshtarit e gënjeshtra në ditën me diell e me shi për pseudo-arritjet e tyre.
Fushata elektorale nuk interpretohet nga politikanët shqiptarë, si dalje në arenën publike me përgjegjshmëri për fjalimet apo narrativën.
Prandaj, për sa kohë ligji nuk e ndalon e ndërgjegjja e tyre ua nxit, politikanët do vijojnë të bëjnë fushatë prapanike, bazë, në formë cirku që rrok duartrokitje e vota, por nuk lë pas asnjë gjurmë premtimi për të cilin votuesi, i dehur nga ahengu e cirku, nuk mëson kurrë të kërkojë llogari.
Si i vlerësoni elementet vizuale – posterat, sloganet e zgjedhura nga partitë politike në këtë fushatë? Në këto zgjedhje vendore ka një prani të lartë të liderëve kryesorë të partive. A i zbeh kjo prani kandidatët për zgjedhjet vendore, apo i forcon ata në këndvështrimin tuaj?
Elementet vizuale të kësaj fushate janë joetike, ngjallin pështjellim emocional e ndrydhje logjike te votuesi, e çorodisin, lodhin dhe e mpijnë atë. Por tek e fundit, ky është edhe qëllimi i partive politike.
Po të dëshironin të kishin votues të gjallë, të përgjegjshëm e të lartë në numër, do ta respektonin më shumë.
Por vendet autokratike nuk e kanë fare këtë përqasje në praktikën elektorale, kështu që posterat fyes e pa lidhje me fushatën për krerë bashkish, duket sikur zënë vend siç u takon. Prania e liderëve nuk i zbeh kandidatët për krerë bashkish.
Thjesht na rikujton, me paturpësinë më të madhe, se për kë është vërtet kjo fushatë: për përforcimin e pozitës sunduese të Ramës dhe përfitim personal të Metës e Berishës. Të tjerët, janë gurë shahu!