Qytetarët në Mbretërinë e Bashkuar mirëpritën nisjen e vaksinimit në masë të popullatës ndaj Covid-19. Disa kryeqytetas në rrugët e Londrës thanë se personalisht nuk janë të sigurt nëse do e marrin atë, megjithatë shumica janë optimistë se kjo mund të jetë rruga drejt fundit të kësaj pandemie.
“Po, jam e gatshme ta marr. Bëj pjesë në kategorinë e personave shumë të rrezikuar, kështu që shpresoj që ta marr si pjesë e fushatës, në një të ardhme të afërt, dhe më pas të kthehem në normalitet”, thotë 34-vjeçarja Nadia Sheppard, ndërkohë që 34-vjeçarja Lucille Boulic thekson se, “mendoj se është diçka e mirë, veçanërisht për të moshuarit. Nuk jam i sigurt nëse do e marr akoma, të them të vërtetën, sepse nuk kemi kohë mjaftueshëm të mendojmë për efektet dhe gjithçka tjetër”.
Në atë që emërtohet si “V-Day”, në shqip dita e vaksinimit, punonjësit e shëndetësisë nisën injektimin e dozave të para të vaksinës së zhvilluar nga Pfizer dhe BioNTech te qytetarët. E gjithë bota i ka sytë nga Mbretëria e Bashkuar për mënyrën sesi zhvillohet kjo fushatë imunizimi, pasi furnizon shpresën e një kthimi të mundshëm në normalitetin para pandemisë koronavirus.
Sfidë më vete paraqet ruajtja e vaksinës Pfizer, që kërkon një ambient minus 70 gradë celsius.