Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar sot një takim me deputetët e zgjedhur nga zgjedhjet e 25 Prillit dhe me kandidatët që nuk arritën të dilnin fitues.
Basha në këtë takim u ka thënë të gjithë kandidatëve që të vijojnë punën dhe u ka njoftuar se do të nisë një tur në të gjithë Shqipërinë për të takuar qytetarët.
Mësohet se kreu i PD ka thënë se fushata nuk ka mbaruar dhe u ka kërkuar të gjithëve që të jenë pranë njerëzve. Po ashtu zgjedhjet i ka quajtur të vjedhura nga qeveria dhe shton se pavarësisht kësaj PD doli më e fortë se kurrë.
“Dua të falenderoj secilin nga ju. Ju keni punuar shumë fort me besimin e palëkundur në rrugën tonë, në demokracinë tonë, në vendin tonë. Pavarësisht vjedhjes më të madhe të votave në historinë e Shqipërisë të kryer nga Rama-Doshi, ne sollëm një arritje të madhe për partinë tonë dhe për vendin tonë. Ne, pa hequr dorë nga vlerat tona, u bëmë më të fortë kudo. Tani do të luftojmë me të gjithë fuqinë tonë deri në fitore.
Fushata jonë nuk ka mbaruar, ajo vazhdon me energji maksimale. Unë do takoj njerëzit në terren, për t’i falënderuar, për të biseduar me ta, për t’i dëgjuar, duke ju kërkoj që edhe ju të bëni të njëjtën gjë në ditët në vijim. Së bashku do të fitojmë! Fushata dhe misioni ynë për të sjellë ndryshimin në Shqipëri vazhdon me fuqi maksimale. Pavarësisht vjedhjes më të madhe të votave në historinë e Shqipërisë, PD u bë më e fortë se kurrë“, mësohet të ketë qenë kjo deklarata e Bashës në mbledhjen me dyer të mbyllura.