Kosova Fushata kundër Kosovës, Kurti: Serbia të ndalë ofensivën, SHBA-BE të reagojnë

Fushata kundër Kosovës, Kurti: Serbia të ndalë ofensivën, SHBA-BE të reagojnë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar ndaj Serbisë, pas intensifikimit të fushatës për çnjohjen e pavarësisë. Me anë të një statusi në Facebook, shefi i qeverisë së Prishtinës i bën thirrje zyrtarëve të Beogradit që të ndalojnë këtë ofensivë, dhe të heqin dorë nga politikat destruktive ndaj Kosovës dhe shtetësisë së saj.

“Kërkoj nga faktorët relevantë ndërkombëtarë, në radhë të parë ShBA-të dhe BE-ja, si ndërmjetësues në procesin e dialogut, ta shtojnë trysninë mbi Serbinë që ta ndërpresë politikën armiqësore ndaj Kosovës”, shkruan Kurti.

Gjithashtu, shton më tej se Prishtina ka treguar vullnet të mirë për marrëdhënie korrekte me Beogradin duke konfirmuar dhe heqjen e taksës për lëndën e parë. Në fund, kryeministri i Kosovës thekson se do të shqyrtojë me kujdes situatën e krijuar dhe se do të veprojë konform interesave të vendit dhe qytetarëve të saj.