Doganat kufitare kanë qenë sot në fokusin e inspektimeve të Ministrisë së Financave në kuadër të masave të monitorimit të veprimtarisë së punonjësve përkatës gjatë fushatës elektorale.
Ministria nuk sqaron nëse ka gjetur shkelje, por u bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë rastet.
“Ministria e Financave inkurajon punonjësit e administratës fiskale që të kryejnë me përgjegjshmëri detyrat në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Po ashtu, Ministria e Financave u bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë rastet e evidentuara nga ana e tyre të përfshirjes së punonjësve të administratës në varësi të kësaj ministrie në aktivitetet partiake apo në veprime të tjera me karakter korruptiv.
Ata janë të lutur që të na shkruajnë ose të na dërgojnë foto apo filmime në numrin 0676054545 (Whatsapp, Viber)”, thuhet në njoftim. Gjatë ditëve të shkuara janë zhvilluar inspektime edhe drejtoritë e tjera të Doganave, Drejtoritë Rajonale të Tatimeve si dhe institucionet e tjera të varësisë.