Në futbollist italian ka humbur jetën pas një aksidenti rrugor. Ngjarja ka ndodhur mesnatën e së mërkurës ndërsa viktimë është 31-vjeçari Marco La Barbera. Ai ishte lojtar i skuadrës Asd San Giorgio Piana 2014, një skuadre arbëreshe që luan në kategoritë e ulëta të Italisë.
La Barbera udhëtonte me një makinë “Fiat 600” në rrugën Altofonte. Për arsye që ende janë duke u hetuar, 31-vjeçari u përplas me një tjetër “Fiat 600”, ku udhëtonin dy gra.
Të tre të lënduarit u dërguan në spital. Pavarësisht kësaj, futbollisti nuk mundi t’i shpëtonte dot plagëve të rënda. Ndërkohë dy gratë kanë pësuar dëmtime gjithashtu, por gjendja e tyre shëndetësore mbetet e stabilizuar, shkruajnë mediat. Lajmin për vdekjen e tij e bëri publik ekipi ku ai luante.
“Fatkeqësisht sot zgjohemi me lajmin e trishtë që na bën të reflektojmë se sa e rëndësishme është jeta. Si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor gjatë natës, Marco La Barbera humbi jetën. Një shok i vërtetë skuadre, djalë serioz, i edukuar, i respektueshëm, i buzëqeshur dhe gjithmonë bënte mirë. Jemi shumë të tronditur nga ky lajm tragjik. Shpirti t’u prehtë në paqe Marco. Lamtumirë mik, të duam shumë”, shkruhej në Facebook-un e ekipit italian.
Ekipi arbëresh nuk kurseu ndihmën për shqiptarët
Asd San Giorigio Piana është një ekip arbëresh, i themeluar vetëm 6 vite më parë në Palermo të Siçilisë. Skuadra luan në “Prima”, kategoria e shtatë e sistemit të ligës italiane të futbollit.
Ngjyrat e skuadrës janë kuqezi, ndërkohë që në stemë ka edhe shqiponjën dy krenare, ngjyrë ari. Aktualisht ekipi arbëresh është në pozicionin e shtatë të tabelës së klasifikimit me 22 gola të shënuar dhe po aq të pësuar.
Por jo vetëm kaq. San Giorgio Piana, vetëm dy ditë më parë, ka bërë një gjest të bukur ndaj të prekurve nga tërmeti i 26 Nëntorit. Falë bashkëpunimit me tifozët, lojtarët e skuadrës apo edhe shoqërinë, ata arritën të mbledhin ndihma të ndryshme që i dërguan në vendin tonë.