Gjashtë persona janë vënë në pranga nga policia në Vlorë, pas një tentative për futjen e një sasie të konsiderueshme mbetjesh të rrezikshme e të dëmshme për mjedisin dhe shëndetin e njeriut.
Policia bën të ditur se ka vënë në pranga shtetasit K. Xh., 65 vjeç, A. Ç., 28 vjeç, A. G., 48 vjeç, F. T., 71 vjeç, E. Ç., 55 vjeçe, Z. K., 45 vjeç, të gjithë banues në Vlorë.
Sipas policisë, mbetjet vinin me traget nga Italia në drejtim të portit të Vlorës me destinacion përfundimtar Shqipërinë.
“Në bazë të informacioneve të mara në rrugë operative nga strukturat e Departamentit të Policisë Kriminale, se me një traget që ishte nisur nga Italia po transportohej një sasi e konsiderueshme me mbetje të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe ambientin, me qëllim për t’i depozituar në Shqipëri, u organizua puna dhe në bashkëpunim me Policinë vendore të Vlorës dhe atë Kufitare, u finalizua operacioni policor i koduar “Amiant”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: Gjatë kontrollit të ushtruar në tragetin e linjës Brindisi – Vlorë dhe konkretisht në pjesën fundore të garazhit, është gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale një sasi e papërcaktuar mbetjesh të ndaluara e të dyshuara të rrezikshme, për të hyrë në Republikën e Shqipërisë. Nga ana e Policisë u kryen veprimet procedurale ku në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua trageti si dhe sasia e mbetjeve, të cilat nuk u lejuan të dilnin nga ambienti i tragetit”, deklaroi Policia.