Krah për krah njëri-tjetrit, të qetë dhe të pa shqetësuar. Këto janë pamjet e dy prej grabitësve, të cilët objektiv kryesor kishin vilat. Pamjet i përcjell policia e Himarës, e cila në bashkëpunim me atë të Durrësit mundën të zbardhin 3 grabitje të ndodhura nga Himarë e Kavajë.
Në pranga ranë dy të rinj, të moshës 31 dhe 22 vjeç, të dy banues në Durrës, ndërsa një i tretë u shpall në kërkim. Në një njoftim për mediat, policia thotë se personat në fjalë ishin pjesëtarë të një grupi kriminal në fushën e vjedhjes.
Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan “3180 euro, 100 franga zvicerane, 140 dollarë, 110 paund, 10 000 mijë lekë të rinj, një automjet tip “Smart”, 3 celularë dhe veshjet e përdorura nga autorët, gjatë vjedhjeve”.
Falë këtij operacionit, policia mundi të zbardhë një grabitje të ndodhur dy ditë më parë në Golem të Kavajës. Po ashtu, nga hetimet rezultoi se personat në fjalë gjatë vitit 2022 kanë vjedhur edhe 3 shtëpi të tjera në Dhërmi, Borsh e Himarë. Në këto banesa ata kanë marrë sasi të konsiderueshme vlerash monetare dhe sendesh me vlerë.