Një punonjës i burgut të Fierit ka rënë në prangat për futjen e një telefoni në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim.
Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve në Ministrinë e Drejtësisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve arrestuan shtetasin B.C 61 vjeç, lindur në Rruzhdije dhe banues në Verbas, me detyrë punonjës policie i rolit bazë në rregjimin e brendshëm në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Fier.
“Arrestimi i tij është bërë pasi më datë 15.02.2017, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtij punonjësi përpara marrjes së shërbimit, pasi kishte kaluar skanerin e kontrollit iu gjet 1-telefon celular i markës Leagoo, ngjyrë e bardhë” njofton Drejtoria e Sherbimit te Kontrollit te Brendshem te Burgjeve.
Nga kryerja e veprimeve hetimore ka rezultuar se ky shtetas ka konsumuar elementë të veprës penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, parashikuar nga neni 324/a, i Kodit Penal, i ndryshuar.
Materialet proceduriale i kaluan për ndjekje Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier.