Partitë tradicionale gjermane në zgjedhjet e dy landeve kanë marrë nga një shuplakë, por nuk janë rrëzuar. Rezultati i zgjedhjeve në Saksoni e Brandenburg shihet si vullnet për të mos nxjerrë në krye populistët.
Pas publikimit të rezultateve të para të zgjedhjeve në dy landet gjermane, Saksoni e Brandenburg, të cilat u ndoqën me shumë interes në të gjithë Gjermaninë, kryeministri i landit të Saksonisë, Michael Kretschmer, CDU u shpreh, se “kjo është një ditë e mirë për landin tonë”. Rezultatin e këtyre zgjedhjeve ai e lidhi me një mesazh: “Saksonia miqësore ka fituar, tha ai në Drezden. Njerëzit në Saksoni e kuptuan, se tani bëhet fjalë, se kush duhet të jetë partia kryesore dhe të marrë detyrën e qeverisjes. “Tani duhet të krijojmë një qeveri që është e mirë për landin tonë.” Ai theksoi, se bisedimet për koalicione do të kërkojnë kohë.
Falënderime i vijnë Kretschmerit nga qendra e CDU-së në Berlin. Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Paul Ziemiak e ka vlerësuar fitoren e CDU-së në Saksoni edhe si fitore personale të Michael Kretschmerit. Por ndjenjat janë të përziera, gëzim dhe zhgënjim, sipas tij. ” Ato janë njëkohësisht një sfidë dhe motivim për të përfunduar më vendosmëri detyrat që kemi përpara edhe në nivel federate”, ka thënë Ziemiak.
SPD merr frymë lirisht në Brandenburg
Edhe kryeministri i Brandenburgut, kandidati socialdemokrat, Dietmar Woidke ka reaguar pozitivisht për rezultatet e para zgjedhore. Sipas prognozave, SPD kryeson me 27% para AfD-së në Brandenburg, e cila arriti afër 23,% të votave. “Për mua ishte e rëndësishme që Brandenburgu të mbetet në duar të mira”, tha ai për televizionin, ARD. “Jam i gëzuar, që fytyra e Brandenburgut edhe në të ardhmen do të jetë miqësore.
Kryetari i përkohshëm i SPD-së, Thorsten Schäfer-Gümbel i sheh zgjedhjet në Brandenburg si shenjë inkurajuese, “duke pasur parasysh situatën e vështirë, ky është një sukses”, tha ai. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i SPD-së, Lars Klingbeil i ka vlerësuar pozitivisht zgjedhjet në Saksoni dhe Brandenburg, duke thënë në ARD, se njerëzit nuk duan që AfD të jetë partia më e fortë. Megjithatë ai e sheh me shqetësim forcimin e populistëve. Klingbeil vlerësoi “mobilizimin e fundit” në Brandenburg që e nxorri SPD si forca kryesore, por në Saksoni, ai do të kishte dëshiruar më shumë.
AfD e sheh rezultatin si “sukses të madh”
Partia populiste e djathtë, AfD i ka komentuar me gëzim rritjen e saj në elektorat duke i cilësuar zgjedhjet në dy lande si “sukses të madh”. AfD ka ngritur zërin për të qenë pjesë e vendimmarrjes politike. “Nuk do të bëhet më politikë pa na marrë ne parasysh”, tha kandidati kryesor i saj në Brandenburg, Andreas Kalbitz. AfD sipas tij “ka ardhur për të qëndruar.” Kurse kandidati i AfD-së në Saksoni, Jörg Urban bëri fjalë në ZDF për një “ditë historike” dhe e paraqiti partinë e tij si “fituese” të kësaj mbrëmjeje. “Partia jonë e re e ka tronditur thellë bastionin e CDU-së në Saksoni”, tha Urban. Kryetarja e grupit parlamentar të AfD, Alice Weidel u shpreh se ky është një “rezultat i shkëlqyer” dhe se Saksonia ka votuar me 60% në mënyrë konservatore. Ta injorosh këtë rezultat do të ishte “jodemokratike”, ka thënë Weidel.
Kurse kandidati kryesor i Të Gjelbërve në Saksoni, Wolfram Günther e sheh rezultatin zgjedhor si “një detyrë të qartë për një politikë tjetër në këtë land”.
Reagimet në media
Mediat gjermane i kanë komentuar rezultatet e zgjedhjeve në dy landet gjermane, Saksoni dhe Brandenburg si një sinjal për Berlinin. “Neue Westfälische shkruan se “SPD është pa udhëheqje dhe e zënë me veten, kandidatët e saj që luftojnë për postin e kryetarit të partisë ia kalojnë njëri-tjetrit me propozime bamirësie, sikur vendet e punës vijnë me prizë dhe paratë janë pa fund në bodrum. Në zgjedhje socialdemokratët nuk shpërblehen për këto.”
Kurse “Münchener Merkur” vëren se pas këtyre votimeve për partitë tradicionale të goditura keq mbetet vetëm “të ngrihen, të rregullohen dhe të vazhdojnë të ecin përpara. Me shpejtësi do të kryhen koalicione me përfshirjen e Të Gjelbërve.” Kurse “Neue Ruhr” kujton se “një çereku i votuesve ka vendosur për një parti, që e ka nxjerrë veten nga populiste e djathtë në radikale të djathtë, dhe ku forcohen ato forca që janë ekstremiste të djathta.”/DW