Prokuroria dhe Policia kanë rënë në gjurmët e grupit të strukturuar kriminal që grabiste makinat me valuta të bankave të nivelit të dytë në rrugën e Rinasit nga një gabim i Fajton Xhylit, ish-punonjës në një kompani sigurie private.
Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, Prokuroria thotë se është sinjalizuar vjeshtën e 2016-s në rrugë operative se shtetasi Fajton Xhyli, që kishte marrë përsipër transportin e parave që u vodhën në 3 dhjetor të 2015, kishte shpenzuar shuma të konsiderueshme parashë, për të cilat nuk kishte mundësi reale për t’i krijuar nga burime të ligjshme.
Këto para ishin shpenzuar kryesisht për blerje makine, rregullim shtëpie, blerje dyqani dhe të tjera.
Ndërkohë ishin siguruar edhe të dhëna të tjera, të cilat mendohej se e lidhnin atë me vjedhjen e dhjetorit 2015. Për këtë arsye, në 12 shkurt të këtij vitit, Prokuroria e Tiranës urdhëroi ndalimin e tij, si person nën hetim për veprat penale të “Vjedhjes me armë”, por vetëm për ngjarjen e vitit 2015.
Pas ndalimit të tij, në bazë të hetimeve të kryera, janë identifikuar edhe disa persona të tjerë, të cilët mund të jenë përfshirë në vjedhjen me armë të vitit 2015. Nga verifikimet e deritanishme, janë përftuar të dhëna, të cilat përfshijnë edhe shtetasit Ditjon Memlika, Neim Avdulaj dhe Ernest Kupa.
Në bazë të deklarimeve paraprake të personave nën hetim, Prokuroria e Tiranës ka krijuar dyshimet e arsyeshme mbi skemën e vjedhjes së parave në Dhjetor 2015, por që ka të dhëna se e njëjta është përdorur edhe për ngjarjen e ndodhur një javë më parë, ku, në po të njëjtën mënyrë, u vodhën një tjetër sasi parash, e cila po transportohej për në Rinas nga një kompani private sigurimi fizik.
Prokuroria thotë se deri në këtë fazë të hetimit, rezulton se shtetasi Fatjon Xhyliu, ish-punonjës i kompanisë private të sigurisë, nëpërmjet kolegut të tij në atë kohë, Ditjon Memlika, është njohur me shtetasin Neim Avdulaj.
Gjithnjë sipas deklarimeve paraprake, ky i fundit u ka kërkuar që të bashkëpunonin në vjedhjen e vlerave monetare që tranportoheshin nga kompania. Xhyliu dhe Memlika kanë pranuar ofertën e tij, për të cilën do të paguheshin.
Këta dy persona kishin si detyrë që të njoftonin mbi lëvizjen e automjeteve që transportonin paratë. Në bazë të këtij informacioni, disa persona të tjerë, me ndërmjetësinë e Neim Avdulaj, do të realizonin goditjen.
Për të realizuar komunikimin, Xhyliu dhe Memlika ishin pajisur me telefona nga Avdulaj. Në datë 3 dhjetor 2013, dy punonjësit e kompanisë së sigurisë fizike, në atë kohë, Xhyliu dhe Memlika, kanë njoftuar me mesazh Avdulajn për lëvizjen e mjeteve me vlera monetare.
Avdulaj, nga ana e tij, dyshohet se ka njoftuar shtetasin A.Ç. Pas këtyre komunikimeve me mesazhe, disa persona të tjerë, kanë realizuar vjedhjen me armë të parave në zonën e Kasharit, rrugës për në Rinas. Pas realizimit të vjedhjes, sipas deklarimeve, Xhyliu dhe Memlika kanë marrë nga rreth 100 mijë euro secili për dhënien e informacionit
Gjithashtu, po nga deklarimet paraprake dhe të dhënat të siguruara deri në këtë fazë të hetimit, janë krijuar dyshimet e arsyeshme se këta persona janë të përfshirë edhe në vjedhjen me armë të parave që po transportoheshin mesditën e së enjtes së kaluar.
Po në bazë të deklarimeve paraprake, në këtë veprimtari dyshohet se ka qenë i përfshirë edhe shtetasi Ernest Kupa, i cili gjithashtu u ndalua me urdhër të Prokurorisë së Tiranës. Për këtë shtetas dyshohet se ka kryer veprime aktive në vjedhjen me armë në të dy rastet.
Prokuroria e Tiranës po vijon hetimet dhe një pjesë e konsiderueshme e të dhënave nuk mund të publikohen në këtë fazë të hetimit, pasi konsiderohen sekret hetimor.