Në vitin 2018, bankat kanë qenë më shumë të zëna me nënshkrimin e marrëveshjeve dhe finalizimet e transaksioneve të shitblerjeve, sesa me zgjerimin e aktivitetit të tyre.
Viti nisi me 16 banka, për t’u mbyllur me 14, pas përthithjes së Veneto nga Intesa Sanpaolo dhe blerjes së NBG nga Banka Amerikane e Shqipërisë. Në proces është një tjetër konsolidim mes Union Bank, që po përfundon transaksionin e blerjes së Bankës Ndërkombëtare Tregtare (ICB), ndësa Banka e Kreditit është në proces likuidimi, duke e ulur numrin e bankave deri në qershor kur të mbarojnë këto procese në 12.
Sistemi vijon të mbetet i mirëdiversifikuar sipas origjinës së kapitalit, ndonëse me ndryshime gjeografike. Zyrtarisht, në Shqipëri, ka mbetur vetëm një bankë greke. Bankat me kapital grek zënë tashmë vetëm 5.2% të totalit të aktiveve të sistemit (Alpha Bank), nga mbi 20% që ishte kjo peshë në periudhën 2008-2009, pas daljes nga tregu fillimisht të Emporiki dhe së fundmi të blerjes së Tirana Bank dhe NBG nga subjekte me kapital tashmë jo-grek. Kapitali francez (Societe Generale), që zinte po rreth 6% të totalit është zëvendësuar nga ai hungarez (OTP bank Albania). OTP bank e ka vendosur tashmë logon e saj në gjithë degët e bankës, duke zëvendësuar Societe Generale.
Sistemi dominohet nga kapitali turk (BKT), me gati 30% të totalit, ai austriak (Raiffeisen), me 15.5% të totalit. Në rritje të ndjeshme është kapitali shqiptar (Credins + Union Bank), që po arrin në gati 18% të totalit të aktiveve të sistemit bankar. Me blerjen e Tirana Bank nga grupi shqiptar Balfin, pesha e kapitalit shqiptare pritet të rritet në rreth 23% të totalit në 2019-n.
Në fund të 9-mujorit 2018, sistemi bankar kishte 474 degë, 5 degë më pak se një vit më parë. Numri i të punësuarve ishte 6,816, duke u ulur me 78 punonjës. Numri i degëve dhe i punonjësve pritet të ulet dhe më tej, si rrjedhojë e procesit të konsolidimit.
Banka Kombëtare Tregtare është më e madhja në vend, me distancë të madhe nga e dyta. Në vitin 2018, BKT rriti më tej peshën e aktiveve në totalin e sistemit, me 1.5 pikë përqindjeje, në 29.4% dhe duke mbetur ndër më aktivet në vend. BKT dominon dhe në kredidhënie (ndonëse me distancë mjaft më të vogël nga Banka e dytë në këtë parameter) dhe depozita. “Kemi pasur një ecuri më të mirë sesa e sektorit dhe e mbyllëm vitin 2018 me një fitim rekord, ndërsa treguesit tanë financiarë vazhduan të përmirësohen”, thotë z. Seyhan Pencabligil, CEO & Anëtar Bordi i BKT.
Raiffeisen Bank është banka e dytë më e madhe në vend, por prej vitesh po e ul madhësinë e bilancit, në linjë me strategjinë e mëmës në Vjenë, për të ulur ekspozimin në vendet e Europës Qendrore dhe Juglindore. Një pjesë e konsiderueshme e aktiveve janë zhvendosur në fondet e investimit të Raiffeisen, që kanë njohur rritje të fortë vitet e fundit. Pesha e aktiveve të bankës ndaj totalit ra me 1.8 pikë përqindje në 15.5%. Banka është e treta sa i përket peshës në kredidhënie dhe e dyta për depozitat. “Në 2018-n, patëm një prirje pozitive në kreditë për biznes dhe individë”, pohon z. Christian Canacaris, CEO i Raiffeisen Bank Albania.
Credins ka vijuar të ruajë pozicionin si banka e tretë më e madhe në vend, që e fitoi në 2016-n, me 13.5% të totalit (rritje me 1 pikë përqindje) dhe po i afrohet me shpejtësi vendit të dytë. Përthithja e Veneto nga Intesa Sanpaolo nuk arriti të “zhvendoste” sërish Credins në vendin e katërt. Credins është e dyta për peshën në kredidhënie, me 17.5% të totalit dhe e treta për depozitat. “Credins Bank vazhdoi të financojë nevojat e bizneseve dhe individëve, klientë ekzistues apo të rinj, duke mbajtur pozicionin si banka e dytë në treg në kredidhënie”, tha Maltin Korkuti, drejtor i përgjithshëm i Bankës Credins.
Intesa Sanpaolo është banka e katërt më e madhe në vend, sipas aktiveve. Pas përthithjes së Veneto, pesha e saj ndaj totalit të aktiveve u rrit me 1.2 pikë përqindje në 11.8%. Rritja ishte e ulët, pavarësisht përthithjes së Veneto edhe për faktin se kjo e fundit ishte një bankë me nivel të lartë të kredive me probleme. “Ne jemi shumë të kënaqur me rezultatet edhe pse si rrjedhojë e rezultateve të jashtëzakonshme, fitimi ynë neto u ndikua nga shkrirja me Veneto Bank”, thotë Z. Silvio Pedrazzi, CEO i Intesa Sanpaolo Bank Albania.
OTP (ish Societe Generale Albania) ka ruajtur pozicionin si banka e pestë më e madhe në vend, me 5.8% të totalit të aktiveve, me një rritje të lehtë në raport me vitin e mëparshëm. Banka shënoi zhvillime të rëndësishme në 2018-n, teksa ndryshoi pronësinë. 100% të aksioneve kaluan nga francezët e Societe Generale Albania sh.a. tek OTP Bank Nyrt. Societe ka qenë një nga bankat më aktive në kredidhënie dhe kjo tendencë duket se do të vazhdojë me ndryshimin e pronësisë. Bledar Shella, drejtori i OTP-së në Shqipëri thotë se strategjia e bankës do marrë një hov të ri. “Do jemi në fazë rritje dhe përmirësimi. Do rrisim kredinë, do hapim degë te reja, do investojmë në dixhitalizim”
Alpha Bank, e vetmja bankë me kapital grek e mbetur në sistemin bankar, ka pasur një aktivitet të qëndrueshëm. Banka ka mbajtur një pjesë të pandryshuar të tregut sa u përket aktiveve me 5.2% të totalit. Drejtori i përgjithshëm i Alpha Bank, Georgios Papanastasiou, thotë se treguesit kryesorë të veprimtarisë ekonomike dhe financiare u përmirësuan me rritje të pjesës së tregut të huasë në 6,33% nga 5,61% në vitin 2017, raporti i kredive me probleme u ul në 8,46% nga 9,79% në vitin 2017.
American Bank of Investments (ABI) ka shënuar kërcimin më të madh në 2018-n, duke u ngjitur në bankën e shtatë më të madhe në vend (nga e nënta), pasi ka finalizuar blerjen e Bankës Kombëtare të Greqisë (NBG). Pjesa e tregut, sipas aktiveve, u rrit me 2.3 pikë përqindje për të arritur në 5.2%. Andi Ballta, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i ABI Bank, thotë se ABI raportoi dhe rritje organike shumë pozitive, që bie më pak në sy, për shkak të pastrimit rekord të kredive të këqija në nivelin e 4%, si dhe transformimit të klientelës të mbartur nga banka e blerë në vitin 2015, me klientë që përputhen më shumë me kulturën e kredisë të ABI Bank.
Tirana Bank ka ulur lehtë peshën e aktiveve në 4.9% të totalit. Gjatë vitit 2018, grekët e bankës së Pireut arritën marrëveshjen për shitjen e 88.95% të aksioneve te grupi shqiptar Balfin dhe 9.88% te Komercijalna Banka AD Skopje. Dritan Mustafa, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv, Tirana Bank, thotë se banka mbylli me sukses një proces tranzicioni të rëndësishëm dhe transformimi të strukturës aksionere, i nisur në vitin 2018.
“Gjatë kësaj periudhe, Banka ka qenë aktive me të gjithë gamën e produkteve dhe shërbimeve, ka zgjeruar më tej bazën e klientelës, si dhe ka ruajtur në mënyrë mjaft të kënaqshme stabilitetin në të gjithë treguesit e rëndësishëm rregullativë dhe financiarë, ku veçohet pozicioni i fortë i likuiditetit dhe i mjaftueshmërisë së kapitalit”, shton ai.
Union Bank ka rritur peshën në treg me 0.3 pikë përqindjeje, në 3.5% në fund të 2018-s. Pas përfundimit të shkrirjes me Bankën Ndërkombëtare Tregtare (ICB), Union Bank pritet të rrisë zotërimin e aktiveve në 4.2% të totalit. Banka ka qenë më aktive në kredidhënie, në raport me sistemin, duke e rritur peshën në kredidhënie nga 3.2 në 3.8%. Gazmend Kadriu, drejtor ekzekutiv dhe Anëtar i Bordit i Union Bank, pohon se gjatë vitit 2019, Union Bank do të finalizojë blerjen e ICB (International Commercial Bank), duke sjellë automatikisht rritje të pranisë së saj në treg dhe në numër klientësh, në footprint gjeografik dhe në nivel asetesh. “Kjo do të kombinohet edhe me rritjen natyrale të vetë Union Bank”, shton ai.
ProCredit ka mbajtur pothuajse një peshë tregu të pandryshuar me 2.3% të totalit të aktiveve në 2018-n, duke mos qenë agresive prej shumë vitesh, çka është reflektuar dhe në numrin e dëgeve dhe punonjësve, teksa Banka ka pasur në fokus dixhitalizimin e shërbimeve. Z. Agan Azemi, anëtar i Drejtorisë Ekzekutive, pohon se 2018-a ka qenë një vit pozitiv, për sa i përket konsolidimit të strategjisë sonë të biznesit për Klientë Privatë si dhe zhvillimi i konceptit “Direct Banking” dhe shërbimeve që ofrohen nën të.
FiBank arriti në 1.7% të totalit të aktiveve, me zgjerim prej 0.3 pikë përqindjeje, duke përshpejtuar ritmet në raport me vitin e kaluar. Bozhidar Todorov, Drejtor i Përgjithshëm i Fibank, pohon se banka ka realizuar fitimin më të lartë në historinë e saj, duke tejkaluar vlerën e 3.5 milionë eurove. Gjithashtu ka shënuar edhe vlerën më të lartë të kredidhënies në të gjithë sistemin bankar, me më shumë se 30%, si dhe në atë të mbledhjes së depozitave apo në atë të efektshmërisë.
Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA) ka një aktivitet modest me 0.6% të totalit të aktiveve, ndërsa Banka e Kreditit të Shqipërisë (CBA) me 0.1% të totalit të aktiveve dhe pa aktivitet në kredidhënie është tashmë në fazë likuidimi vullnetar.
Burimi: Monitor