Kryeministri Edi Rama tha se automotoparku që po ndërtohet në Elbasan dhe ku do të zhvillohet edhe një garë e Formula 1, do të bëjë që sytë e 1 miliard njerëzve të jenë të drejtuar nga ky qyteti gjatë ditëve të provave dhe garës.
“Kur vjen puna te automotoparku, nuk jemi në kushtet e një investimi vetëm për ato 3 ditë të Formula 1, që sigurisht është kalimi në një nivel tjetër komplet i Shqipërisë, siç po ndodh aktualisht. Me Formula 1 kalojmë te 1 miliardë shikues që do t’i kenë sytë në Elbasan në ato 3 ditët e provave dhe garës”, tha Rama nga Elbasani, ku mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshjeje me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, për rijetëzimin e kalasë së Elbasanit dhe lagjes përreth.
“Automotoparku do të funksionojë në çdo ditë të vitit, për gara të ndryshme motoçiklistike dhe do të funksionojë si një pikë për turizmin e përditshëm për shumë arsye, me muzeun, zonat rekreative, etj. E ardhmja është aty, përpara nesh dhe nëse sot shikojmë horizontin e anëtarësimit në familjen europiane brenda kësaj dekade, që i bie brenda mandatit tonë të katërt të jemi të shpallur gati për të hyrë me familjen europiane, me këtë periudhë përkon edhe ky transformim i Elbasanit dhe kapërcim në një nivel tjetër”, shtoi Rama.