Extra “Gara e kuzhinës”: Italia mban ‘kurorën’, kuzhina shqiptare ngel në klasë

“Gara e kuzhinës”: Italia mban ‘kurorën’, kuzhina shqiptare ngel në klasë

“TasteAtlas”, një udhëzues me përvojë për ushqimin tradicional që mbledh receta autentike, komente të kritikëve të ushqimit dhe artikuj kërkimor rreth përbërësve e pjatave të njohura e ka renditur kuzhinën shqiptare në vend të 90-të në botë mes 100 vendeve të marra në analizë në total për vitin 2023.

Mikpritja është një zakon themelor i shoqërisë shqiptare dhe shërbimi i ushqimit është pjesë përbërëse e pritjes së mysafirëve dhe vizitorëve. Përsa i përket traditës së gatimit të popullit shqiptar themi se gatimet janë të larmishme dhe favorizohen nga fakorët mjedisorë, faktorë këto të përshtatshëm  për kultivimin e pothuajse të gjitha llojeve të bimëve, perimeve dhe frutave.

Por cilat janë ushqimet shqiptare më të preferuara sipas “Tasteatlas”?

Vlerësimet rendisin si ushqime të preferuara kryesisht gatimet që në përbërjen e tyre kanë produkt mishin.

Në vendin e parë renditet sarma me 4.4 yje, më pas qofte të fërguara me 4.3 yje dhe tavë kosi me 3.5 yje. Gjithashtu, vlerësohen me pikë të kënaqshme edhe gatimet si Fërgesë Tirane, Fli dhe Ballokume Elbasani.

Kuzhina italiane mban kurorën

Nga ana tjetër, gatimet italiane vlerësohen me 4.65 yje duke bërë kështu që kuzhina italiane të pozicionohet në vendin e parë mes 100 shteteve të marra në studim, renditje kjo e njëjtë edhe me atë të vitit 2022. Më pas ndiqet nga kuzhina japoneze dhe ajo greke të cilat po ashtu gëzojnë vlerësime të larta, mbi 4.6 yje. Në vend të fundit, të cilësuara si kuzhina më pak të preferuara, renditen kuzhina e Uellsit dhe Republikës Domenikane me vlerësime të barabarta, përkatësisht me  3.88 yje.

Si paraqitet “gara e kuzhinës“ për vendet e rajonit?

Vlerësimet tregojnë se Shqipëria ka humbur garën. Ashtu si edhe në vitin 2022 kuzhina shqiptare nuk ka arritur të përmirësohet në vlerësim pasi krahasuar me vendet e rajonit ajo renditet në fund të tyre. Serbia, Bosnje Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut renditen në vend të 20-të, 27-të dhe 61-të. Ndërkohë, Mali i Zi dhe Kosova nuk janë në listë.

Theksojmë se vlerësimi i kuzhinës për çdo vend bazohet në mendimin e përdoruesve për tridhjetë pjatat, pijet dhe produktet ushqimore më të mira në secilin vend. Në qoftë se ndonjë vend nuk përmbush këtë kriter, pra nuk ka artikuj mjaftueshëm për t’u vlerësuar atëherë nuk bëhet pjesë e listës. Duke e përshkruar veten si “një atlas botëror i pjatave tradicionale, përbërësve vendas dhe restoranteve autentike”, “TasteAtlas” përmban një hartë globale interaktive ushqimore me ikona të pjatave të shfaqura në rajonet e tyre përkatëse dhe supozohet se përmban gati 10,000 pjata, pije dhe përbërës, si dhe 9,000 restorante.