Gara mes televizioneve në vend sa vjen e bëhet më e ashpër, ku lufta për audiencë përkthehet në më shumë të ardhura nga reklamat, në një mjedis ku bizneset po tentojnë të kursejnë në shpenzimet e tyre për marketing.
Në vitin 2019, TV Klan dhe Top Channel vijuan të ishin televizionet më të mëdhenj në vend, sa u përket të ardhurave.
Tv Klan, i cili arriti që vitin e kaluar që të arrinte Top Channel, -që për shumë vjet kishte qenë më i madhi në vend sa i përket të ardhurave-, ka arritur të ruajë kryesimin edhe këtë vit. Sipas bilancit vjetor, të publikuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, të ardhurat totale të TV Klan arritën në rreth 1.7 miliardë lekë, ose 13.6 milionë euro. Në raport me vitin e mëparshëm, të ardhurat u rritën me 16%.
Por, nga aktiviteti kryesor, Klan ka rezultuar me një rënie të ardhurash me 14% (nga 1.37 në 1.2 miliardë lekë), që është kompensuar nga rritja e ndjeshme e të hyrave nga aktivitetet dytërore (nga 92 mln lekë në 518 milionë lekë), që sipas burimeve nga kompania erdhën nga ritransmetimet, dëmshpërblimet dhe grantet.
Fitimet para taksave të Klan arritën në 200 milionë lekë, me një rritje prej 5% në raport me 2018-n.
Top Channel raportoi të ardhura prej 1.44 miliardë lekësh (11.6 milionë euro), me një rritje prej rreth 5% në krahasim me vitin e mëparshëm. Për herë të parë, televizioni ka rezultuar me një fitim të lartë prej 223 milionë lekësh, 10-fishim në raport me vitin e kaluar, duke ia kaluar dhe Klan, që ka qenë historikisht televizioni me fitimet më të larta në vend. Rritja e fitimeve ka ardhur si rrjedhojë e uljes së shpenzimeve në të gjitha zërat, kryesisht ato të materialeve të para dhe personelit.
Vizion Plus (Media Vizion) është i treti më i madh në vend, me një nivel të ardhurash prej 424 milionë lekësh (3.4 milionë euro), me një tkurrje prej 2% me bazë vjetore. Fitimi para tatimit ishte 2.2 milionë lekë.
Covid-19 godet dhe televizionet
Aktiviteti i televizioneve është ndikuar negativisht në pjesën e parë të vitit 2020 si rrjedhojë e pandemisë së Covid-19. Mbyllja e ekonomisë në gjysmën e marsit deri në maj bëri që shumë kompani të pezullonin fushatat e tyre publicitare, duke ndikuar në të ardhurat e televizoneve.
TV Klan në raportin e aktivitetit 2019 thekson “se për shkak të pandemisë botërore të Covid 19, dhe të masave të marra nga qeveria shqiptare por edhe të atyre të vendeve europiane dhe botërore, aktiviteti i shoqërisë pësoi një rënie për një periudhë disamujore. Kjo pritet që të sjellë në periudhën pasardhëse edhe një rënie të shitjeve dhe si pasojë edhe ulje të rezultatit të shoqërisë por nuk rrezikon aspak vijimësinë e biznesit”.
Top Channel thotë në raportin vjetor se pandemia e Covid-19 ka pasur një efekt të menjëhershëm në zinxhirin ekonomik të vendit dhe përtej, si edhe në aktivitetin e Shoqërisë Top Channel sh.a.
Në përgjigje të situatës së krijuar si edhe në kushtet e pasigurisë, Top Channel raporton se mori një sërë masash të menjëhershme me synim përballimin e situatës, si dhe vazhdimësinë e biznesit si më poshtë vijon:
-Vazhdoi aktivitetin e saj ekonomik, duke reduktuar në një masë të pranueshme kostot e saj në masë të përafërt me reduktimin e të ardhurave, duke vazhduar në mënyrë të pandërprerë transmetimet televizve dhe informative;
– Transmetimet televizive sipas programacionit jane kryer duke zbatuar kufizimet e publikuara nga MSH dhe ISHP, dhe në përputhje me masat per minimizimin e përhapjes së Covid;
Top Channel raporton se ka marrë të gjitha masat në mënyrë që të vazhdojë biznesin në kushtet e tregut dhe impakti nga Covid të jetë minimal.
Tregu i reklamave më i ulëti në rajon
Sipas publikimeve të mëparshme të Monitor, në total, tregu i reklamave vlerësohet në 38-40 milionë euro në vit, deri në 2019-s, ndërsa pritet të pësojë rënie të ndjeshme në 2020-n për shkak të situatës së Covid-19. Tre televizionet më të mëdha marrin më shumë se 60% të shpenzimeve totale që bëhen nga kompanitë për të reklamuar produktet e tyre.
Tregu i reklamave mbetet i nënzhvilluar në vendet e rajonit, për shkak të vetë nivelit të ekonomisë dhe sofistikimit të bizneseve.
I matur për frymë, sipas vlerësimeve të Institutit të Mediave dhe IREX (organizatë globale zhvillimi dhe edukimi që bën vlerësimin rajonal të të ardhurave vjetore nga publiciteti), tregu i reklamave në Shqipëri gjeneron 13 euro në vit për person, duke u renditur ndër nivelet më të ulëta në rajon, së bashku me Bosnjën. Kryesimin e mban Serbia, me rreth 20 euro/person, e ndjekur nga Maqedonia dhe Mali i Zi, me rreth 17 euro.
Në krahasim me vendet e zhvilluara, rajoni ka të ardhura tepër modeste. Sipas Statista, portalit global të statistikave, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tregu më i madh në botë, renditen të parat në botë me të ardhura prej 191 miliardë dollarësh, ose 602 dollarë për person, të ndjekura nga Australia (565 USD/frymë), Mbretëria e Bashkuar (407 USD), Norvegjia, (368) etj. Tregu global në 2016-n u vlerësua në 493 miliardë dollarë./Monitor