Gara ndërkombëtare për ndërtimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës, me degëzim në Aeroportin “Nënë Tereza” ka hyrë tashmë në fazën finale. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka dhënë vlerësimin e saj pozitiv, të njohur me termin “no objection”, për fazën e parë të tenderit ndërkombëtar, duke i hapur kështu udhë zhvillimit të fazës finale të kësaj procedure.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, përmes një postimi në rrjetet sociale ku njofton se ka zhvilluar edhe një bisedë me Matteo Colangeli, Drejtorin e Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim në Shqipëri.
Balluku shkruan se BERZH kanë qenë partner që në nisje të këtij procesi dhe se certifikimi i tyre është jo vetëm një vlerësim për punën e mirë që është bërë, por edhe një dëshmi e fortë për një proces transparent.
“Gara për projektin e ndërtimit të linjës hekurudhore Tiranë-Durrës, me degëzim në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ka hyrë në fazën finale. Më datë 21 shtator presim ofertat financiare, për të përzgjedhur fituesin. Bisedova me Matteo Colangeli, Drejtorin e BERZH për Shqipërinë, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila ka qenë partneri ynë që në nisje të këtij projekti. Certifikimi nga ekspertët e BERZH, i çdo hapi që kemi hedhur në këtë proces, është jo vetëm një vlerësim për punën e mirë të bërë deri më tani, por edhe një dëshmi e fortë për një proces transparent. Në fokusin e bisedës sonë pa dyshim ishin dhe hapat e mëtejshëm për projektet ambicioze në krijimin e një rrjeti modern hekurudhor”, shkruan ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Projekti i Rehabilitimit të linjës hekurudhore Tiranë – Durrës ka për qëllim, përveç ndërtimit të një linje të re për në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, edhe modernizimin e linjës ekzistuese Tiranë – Durrës nëpërmjet përmirësimit të karakteristikave gjeometrike dhe operacionale të vijës hekurudhore në përputhje me standardet e BE-së. Kosto totale e projektit vlerësohet në shumën 90.45 milionë Euro.
Në fazën e parë të tenderit, e cila konsistonte në paraqitjen vetëm të propozimit teknik, paraqitën ofertat e tyre 6 kompani. Propozimet teknike të aplikantëve u vlerësuan nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në bashkëpunim me konsulentin e BERZH “Ardanuy“. Pas vlerësimit të kryer dhe bazuar në kërkesat e dokumentave të tenderit, për fazën e parë u vendos që të kalojnë për në fazën e mëtejshme të tenderit 5 nga 6 kompani.
Në vijim Komisioni i Vlerësimit të Ofertave përcolli pranë BERZH raportin e vlerësimit sipas formatit standard të kërkuar dhe mori “no objection” për vlerësimin e fazës së parë të tenderit që përfshin listën e 5 aplikantëve, të cilët do të ftohen të paraqesin dokumentacionin e fazës finale të tenderit ndërkombëtar. Faza finale e tenderit, që përfshin afatin e fundit të dorëzimit të ofertave dhe hapjen e ofertave do të jetë në datë 21 shtator 2020.