Parashikimet e republikanëve për një ‘valë të kuqe’, që do t’u mundësonte atyre kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit, dështuan në këto zgjedhje që përkojnë me mesin e mandatit të një presidenti. Demokratët arritën të sigurojnë të paktën 50 vende në Senat, çka u garanton atyre kontrollin e tij. Ndërkohë republikanët po i afrohen fitores në Dhomën e Përfaqësuesve, por për shkak të disa garave tejet të ngushta, rezultati është vështirë të parashikohet. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Arash Arabasadi njofton.
Demokratët do të vazhdojnë të kontrollojnë Senatin amerikan. Partia e Presidentit Joe Biden i tejkaloi të gjitha pritshmëritë në këto zgjedhje, pavarësisht parashikimeve për humbjen e të dyja dhomave të Kongresit.
Catherine Cortez Masto, gruaja e parë nga Nevada e zgjedhur senatore dhe e para latino-amerikane që ka fituar një vend në këtë dhomë të Kongresit, mundi me një avantazh të ngushtë republikanin dhe ish-Prokurorin e Përgjithshëm të shtetit, Adam Laxalt.
Fitorja u siguron demokratëve kontrollin e të paktën një dhome të Kongresit për dy vitet e fundit të mandatit aktual të Presidentit Biden.
Kjo do të thotë gjithashtu se senatori demokrat i Nju Jorkut Chuck Schumer do të vazhdojë të udhëheqë shumicës në Senat. Një fakt që presidenti Biden nuk e la pa e përmenduar gjatë një vizite në Kamboxhia.
“Urime senatorit Schumer. Ai ka përsëri shumicën. Ne po përqendrohemi tani në Xhorxhia. Ndihemi mirë në këto pozita që jemi. E di që jam një optimist i pandreqshëm, por nuk jam befasuar nga pjesëmarrja. Jam tepër i kënaqur me pjesëmarrjen. Mendoj se ishte një reflektim ndaj cilësisë së kandidatëve tanë”, tha presidenti.
Cilësia e kandidatëve ka qenë një temë e diskutuar gjerësisht në këto zgjedhje. Udhëheqësi i pakicës republikane në Senat Mitch McConnell kishte kritikuar më parë kandidatët e partisë së tij, një qëndrim që u përqafua edhe nga të tjerë.
“Cilësia e kandidatit ka rëndësi. Shumë republikanë, me të drejtë ose jo janë veshur me një petk ekstremizmi. Si amerikanë, ne duhet ta dreqim çështjen e ekstremizmin. Mendoj se kjo ishte pikërisht ajo që pamë në këto zgjedhje”, thotë guvernatori republikan i Nju Hampshër Chris Sununu.
Kandidatët e përzgjedhur nga ish-Presidenti Donald Trump, i cili vazhdon të ketë një ndikim të madh në Partinë Republikane, nuk dolën aq mirë sa shpresonte ai, sikurse mjeku i njohur Mehmet Oz, i cili humbi garën në Pensilvani përballë zëvendës guvernatorit demokrat John Fetterman.
Po kështu Blake Masters, i cili humbi garën kundër senatorit demokrat të Arizonës, Mark Kelly.
“Jam shumë i nderuar që Arizona më ka besuar të përfaqësoj shtetin tonë në Senatin amerikan për gjashtë vjet të tjera”, tha senatori demokrat Mark Kelly.
Duke siguruar 50 vende demokratët kontrollojnë Senatin falë votës së nënpresidenten Kamala Harris.
Tashmë mbetet i pavendosur vetëm fati i garës në Xhorxhia, një garë që kaloi në balotazh. Më 6 dhjetor republikani dhe ish-ylli i futbollit Herschel Walker garon kundër senatorit demokrat në detyrë Raphael Warnock. Xhorxhia është një nga dy shtetet amerikane që kërkon që një kandidat të fitojë të paktën 50 për qind të votave për t’u shpallur fitues.
Ndërkohë vazhdon të mbetet e paqartë se cila parti do të ketë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve. Gjasat janë që republikanët ta arrijnë pragun e nevojshëm prej 218 vendesh që do t’u jepte atyre shumicën.
“Cilido qoftë rezultati, ne po e çojmë vendin tonë drejt rrugës së duhur dhe nuk po e zhysim në probleme sikurse bënte pala tjetër”, tha Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi.
Ndërsa numërimi vazhdon, gjasat janë që mund të duhen javë për të mësuar se cila parti do të kontrollojë Dhomën e Përfaqësuesve.