Edhe pse momentalisht në vendin e dytë dhe me dy pikë më pak se Milani kryesues, Interi është favorit për të fituar titullin në Serinë A.
Pas ndalesave të kuqezinjve dhe të Napolit, topi ka kaluar në fushën e skuadrës së Inzaghit. Zikaltërit kanë shanset më të mëdha të shpallen kampionë të Italisë dhe për më tepër e kanë fatin e tyre në dorë.
Kur kanë mbetur gjashtë javë nga mbyllja e sezonit, Interi ka 7 ndeshje për të luajtur, pasi do të rikuperojë edhe takimin me Bolonjën. Nëse i fitojnë të shtatë sfidat, për një total prej 21 pikësh, atëherë ata do të konfirmoheshin si skuadra më e mirë e Serisë A. Në dy javët e fundit, zikaltërit kanë rikuperuar 4 pikë ndaj Milanit dhe 3 ndaj Napolit.
Në javët e fundit të kampionatit, Interi duket se favorizohet edhe nga kalendari. Teksa Milani e Napoli luajnë në shtëpi me Genoa e Roma, Perisic me shokë luajnë trasfertën me Spezian e Rey Manajt. Sfida më e madhe e Interit është ajo e javës së 34-t, në San Siro, me Romën.
Nëse kalon ekipin e Mourinhos dhe më pas fiton ndeshjen e prapambetur me Bologna, me gjasë ata do të jenë kampionët. Kundërshtarët e katër javëve të fundit, Udinese, Empoli, Cagliari e Sampdoria nuk janë të frikshëm dhe Interi duket me një dorë te titulli.