Në vitin 1895, Mark Hanna, senator i shtetit Ohajo, shpjegonte se si funksiononte politika në kohën e tij: “Dy gjëra janë të rëndësishme në politikë”, thoshte ai, “e para, janë paratë, e dyta … nuk më kujtohet se çfarë mund të jetë e dyta.”
Rreth 125 vjet më vonë, gjërat nuk kanë ndryshuar shumë.
Në çdo dy vjet të ciklit elektoral në Shtetet e Bashkuara, kandidatët dhe përkrahësit e tyre shpenzojnë miliarda dollarë për t’u bërë të njohur në publik, për të dhënë mesazhet e tyre dhe për të diskredituar rivalët politikë.
Sipas vlerësimeve, zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 kushtuan 2,4 miliardë dollarë. Në këtë shifër përfshihen shpenzimet e kandidatëve dhe të grupeve të ndryshme të interesit. Dhe kishin për të qenë edhe më të kushtueshme, në se Donald Trumpi nuk do të ishte bazuar kryesisht tek strategjia unike e fushatës së tij, mbulimi falas nga mediat, në vend të reklamave me pagesë.
Megjithatë, kjo ishte një shifër jashtëzakonisht e madhe, më e madhe se ekonomitë e dhjetra vendeve të botës atë vit. Po t’i shtosh shpenzimet e kandidatëve për poste të tjera federale, të anëtarëve dhe Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit, shifra e përgjithshme e shpenzimeve atë vit zgjedhor do të ishte marramendëse, rreth 6,5 miliardë dollarë.
Shpenzime të mëdha gjatë fushatës
Historikisht, ky është një fenomen relativisht i ri. Sipas studiuesit të shkencave politike Zachary Albert, nga Universiteti i Masaçusetsit në Amherst, në vitet 1980 deri në 2012, shpenzimet për fushatat e zgjedhjeve për në Kongres, u rritën 600 për qind, duke marrë parasysh inflacionin. Gjatë së njëjtës periudhë, shpenzimet për garat presidenciale u rritën shumë më tepër, 1,200 për qind.
Pjesërisht për shkak të fushatës relativisht jo shumë të kushtueshme të Donald Trumpit, (ai shpenzoi 398 milionë dollarë për fushatën, ndërsa demokratja Hillary Clinton shpenzoi 768 milionë), fushata presidenciale e vitit 2016 ishte më pak e kushtueshme se ajo e vitit 2012. Por ekspertët nuk presin që kjo anomali të përsëritet.
E pyetur lidhur me koston që pritet të ketë fushata presidenciale e vitit 2020, Candice Nelson, profesore dhe shefe e Katedrës së Qeverisjes në Universitetin Amerikan në Uashington, tha se: “Gara presidenciale e vitit 2020 ka për të qenë më e kushtueshmja.”
Shpallja herët e kandidaturës, zgjedhja e vetme
Kosto e jashtëzakonshme e zgjedhjeve, është një nga arsyet përse demokratët, që synojnë të kandidojnë kundër Presidentit Trump në vitin 2020, po e shpallin herët kandidaturën e tyre dhe po fillojnë të grumbullojnë financime për fushatën.
Nëntë kandidatë kanë deklaruar zyrtarisht kandidaturën e tyre: Senatori i Nju Xhërsit Cory Booker, ish-Sekretari i Strehimit dhe i Zhvillimit Urban Julián Castro, ish ligjvënësi i Merilendit John Delaney, ligjvënësja e Hauait Tulsi Gabbard, Senatorja e Kalifornisë Kamala Harris, Senatorja e Minesotës Amy Klobuchar, Senatorja e Masaçusetsit Elizabeth Warren, shkrimtarja Marianne Williamson dhe biznesmeni Andrew Yang.
Dy të tjerë kanë thënë se po shqyrtojnë mundësinë e kandidimit dhe të paktën 16 të tjerë kanë sugjeruar mundësinë e kandidimit për në Shtëpinë e Bardhë.
…Dhe ekziston mundësia që Donald Trump të përballet me kandidatë rivalë në zgjedhjet paraprake edhe nga vetë partia republikane.
Sipas një njoftimi të gazetës “The New York Times”, tashmë kanë filluar të jepen donacione të vogla individuale për kandidatë të mundshëm të Partisë Demokrate përmes platformave në internet për grumbullimin e fondeve.
Senatori i Vermontit Bernie Sanders do të ishte në gjendje të fillonte një tjetër fushatë presidenciale në vitin 2020, ai ka siguruar deri tani 2.1 milionë dollarë nga donacionet individuale, ndërsa ligjvënësi i Teksasit Beto O’Rourke, ka siguruar deri tani 743,000 dollarë. Të dy ata kanë shprehur interes për të kandiduar, por asnjëri nuk e ka shpallur zyrtarisht fushatën.
Presidenti Trump, nga ana e tij, nuk e ka ndërprerë asnjëherë fushatën e grumbullimit të fondeve, duke e filluar fushatën e 2020 menjëherë pas përfundimit të 2016. Nga janari i vitit 2017 kur ai erdhi në postin e Presidentit, deri në dhjetor të vitit 2018, sipas të dhënave të Komisionit Federal të Zgjedhjeve, fushata presidenciale e Donald J. Trumpit ka grumbulluar 67.5 milionë dollarë dhe e filloi vitin 2019 me 19.3 milionë dollarë të tjerë në kesh.
Nuk ka dyshim, se në mesin e demokracive të përparuara në mbarë botën, Shtetet e Bashkuara dallohen nga të gjitha vendet e tjera, kur është fjala për shpenzimet e fushatave.
Për shembull, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2015 në Britani, partive politike nuk u lejohej të shpenzonin më tepër se 29.5 milionë dollarë në vitin para zgjedhjeve. Në zgjedhjet e vitit 2017 në Francë, të cilat i fitoi Emmanuel Macron, kandidatëve u lejohej të shpenzonin më pak se 25 milionë dollarë.
Përse Shtetet e Bashkuara janë kaq të ndryshme?
Disa arsye duken qartë. Së pari, fushatat presidenciale fillojnë tepër herët. Kjo ndodh pjesërisht, për shkak të nevojës për të filluar herët, për të mbuluar koston totale të një fushate të suksesshme, gjë që kontribuon tek çmimi i përgjithshëm i fushatës.
Faktorët e kostos së fushatës
Së dyti, kostoja për të dhënë mesazhin e fushatës në një vend kaq të madh sa Shtetet e Bashkuara, si për nga numri i popullsisë, edhe për shkak të gjeografisë.
Në përgjithësi, shpenzimet më të mëdha të fushatës i merr komunikimi. Këtu përfshihen televizioni, radio, posta dhe media dixhitale.
Por nuk është vetëm komunikimi që ndikon në rritjen e jashtëzakonshme të kostës së shpenzimeve në fushatat presidenciale.
Të paktën dy faktorë të tjerë janë për t’u marrë në konsideratë.
Së pari, deri në vitin 2008, kandidatët presidenciale të partive kryesore, pranonin financime publike për fushatat e tyre. Kjo do të thotë, që Departamenti i Thesarit jepte fonde për fushatat e kandidatëve, me kushtin që kandidatët nuk do t’i tejkalonin kufijtë e caktuar për të shpenzuar.
Kandidatët nuk pranojnë financime publike
Kjo ndryshoi në vitin 2008, kur Barack Obama, në atë kohë i emëruari i Partisë Demokrate, nuk pranoi të merrte fonde federale. Kjo e çliroi atë nga kufizimet në shpenzime; duke siguruar fonde në saje të një fushate të fuqishme mbarëkombëtare, Obama mundi t’ja kalojë rivalit të tij republikan, John McCain, duke siguruar shumë më tepër fonde.
Deri në atë kohë, fushata e vitit 2008 ishte më e kushtueshmja në historinë e garave presidenciale në Shtetet e Bashkuara.
Ndoshta më me rëndësi për këtë çështje ishte vendimi i vitit 2010 i Gjykatës së Lartë, për rastin “Qytetarët e Bashkuar kundër Komisionit Ferderal të Zgjedhjeve”. Ky vendim bëri ndryshime të mëdha tek rregullat e shpenzimeve për fushatat, duke i hapur rrugën shpenzimeve të drejtpërdrejta nga bizneset, sindikatat, organizatat jo-fitimprurëse dhe grupe të tjera të pavarura, të cilat injektonin qindra milionë dollarë të tjerë në garat presidenciale.
Shumica mbështesin idenë e kufizimit të fondeve për fushatat
Natyrisht, që publiku nuk preferon rritjen e vazhdueshme të kostos së fushatave. Sipas anketave, shumica e amerikanëve mbështesin idenë e kufizimeve ligjore për shpenzimet në fushata elektorale.
Po ashtu, një numër i madh politikanësh janë shprehur kundër ndikimit të dëmshëm të parave në politikë, duke kujtuar me pakënaqësi orët e shpenzuara në telefon, thuajse çdo ditë, duke biseduar me donatorë të mundshëm. Kjo praktikë është kaq e zakonshme, saqë në Kongres qarkullon një shprehje: “telefonata për të kërkuar dollarë.”
Por ky problem është më i thellë se sa opinioni i publikut, apo dëshira e politikanëve. Gjykata e Lartë ka marrë disa herë vendimin se kufizimi ndaj shpenzimeve për fushata bie në konflikt me lirinë e fjalës, të garantuar me kushtetutë.
Disa kërkojnë ndryshime në Kushtetutë
Disa aktivistë që mbështesin reformat ndaj financimit të fushatave janë të mendimit se ka vetëm një rrugë: ndryshimi i Kushtetutës.
“Ne përballemi me një krizë kushtetuese në vendin tonë, të cilën nuk mund ta përmirësojnë ligje, apo politika të caktuara. Duhet t’i bëjmë amendamente Kushtetutës,” -thotë Ben Gubits, drejtor për politikat në grupin “American Promise”.
Ky grup është në mesin e shumë të tjerëve, që kërkojnë miratimin e Amendamentit të 28 të Kushtetutës, i cili do të kufizonte shpenzimet për fushatat elektorale.
“Është përgjegjësia jonë që të përmirësojmë defektet e demokracisë sonë”, thotë Gubits. “Ne si amerikanë, në një farë mënyre kemi hequr dorë nga ky mision…është në dorën tonë që kur kemi defekte, t’i rregullojmë ato vetë.”/ VOA