Sport Gareth Southgate largohet nga drejtimi i Anglisë

Gareth Southgate largohet nga drejtimi i Anglisë

Gareth Southgate largohet nga drejtimi i Anglisë. Pas 102 ndeshjesh në stolin e “Tre Luanëve”, trajneri i thotë lamtumirë kombëtares angleze.

“Si anglez krenar, ka qenë nderi më i madh në jetë që të luaja për Anglinë dhe ta drejtoja atë. Kam dhënë maksimumin. Por, tani është koha për ndryshim dhe për të shkruar një tjetër kapitull. Finalja e Berlinit kundër Spanjës ishte ndeshja ime e fundit si trajner i Anglisë. I jam bashkuar Federatës Angleze të Futbollit në vitin 2011, i vendosur për të ndryshuar futbollin anglez. Gjatë kësaj kohe, përfshirë 8 vitet si trajner i kombëtares, kam pasur mbështetjen e disa personave të shkëlqyer, të cilët i falenderoj. Kam pasur privilegjin që të drejtoj një grup fantastik lojtarësh në 102 ndeshje. Të gjithë kanë qenë krenarë që kanë veshur fanellën e Anglisë dhe kanë qenë krenaria e vendit të tyre në shumë aspekte. Skuadra që kishim në Gjermani është e mbushur me futbollistë të rinj dhe të talentuar, që mund të fitojnë trofeun që të gjithë ëndërrojmë”, lexohet në letrën e lamtumirës së Gareth Southgate.

“Jam tifoz i madh i Anglisë dhe gjithmonë do të jem. Shpresoj të shikoj se si lojtarët do të vazhdojnë rritjen e tyre. Falemnderit për gjithçka, Angli”, mbyll letrën e tij Southgate.

Pas humbjes në finale, mediat angleze flisnin për dëshirën e Federatës për të bindur trajnerin që të qëndronte në pozicionin e tij, me kontratën që i përfundonte në dhjetor të këtij viti.

Por duket se Gareth Southgate e kishte ndarë mendjen për t’u larguar nga drejtimi i “Tre Luanëve”.

Trajneri largohet nga stoli i Anglisë, aty ku qëndroi për 8 vite, ndërsa arriti dy finale te Europianit, por nuk ia doli dot të fitojë trofeun.

Në 102 ndeshje si trajner i kombëtares së “tre luanëve”, Southgate regjistroi 64 fitore, 20 barazime dhe 18 humbje.