Bill Gates ka ndërmarrë veprën më të madhe të bamirësisë që prej ndërrimit të shekullit, duke dhuruar aksione të Microsoft që arrijnë në 5% të totalit të pasurisë së tij.
Sipas të dhënave të Komisionit të Bursave dhe Letrave me Vlerë, miliarderi ka dhuruar 64 milionë aksione të kompanisë, me një vlerë prej 4.6 miliardë dollarë më datë 6 Korrik.
Ndërkohë që përfituesi nuk specifikohej, Gates, shumicën e donacioneve të tij i ka ndërmarrë nëpërmjet fondacionit Bill & Melinda Gates.
Kjo përbën dhuratën më të madhe të aksioneve të Microsoft që prej vitit 2000.
61-vjeçari dha 16 miliardë dollarë aksione të kompanisë në vitin 1999 dhe 5.1 miliardë një vit më vonë, tregojnë të dhënat e Bloomberg.
Që prej vitit 1994, Bill dhe Melinda Gates, kanë dhuruar rreth 35 miliardë dollarë, duke u bazuar në vlerën e aksioneve gjatë asaj kohe.
Gates krijoi “Giving Pledge” në vitin 2010, me miliarderin Warren Buffet, fushatë që inkurajon personat e pasur që të dhurojnë paratë e tyre.
Gates mbetet ende personi më i pasur në botë, me një total prej 86.1 miliardë dollarë në indeksin e miliarderëve të Bloomberg.