Kryesore Gati muzeu i Arbëreshëve, Rama: Do të jetë në Kalanë e Skënderbeut

Gati muzeu i Arbëreshëve, Rama: Do të jetë në Kalanë e Skënderbeut

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se Muzeu i Arbëreshëve, një nismë që synon ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë arbëreshe, do të ngrihet në Kalanë e Krujës.

Gjatë punimeve të Samitit të Diasporës, Rama u shpreh se përveç Muzeut janë po ashtu edhe një sërë idesh të tjera që presin t’i japin jetë kësaj marrëdhënie në nivele të ndryshme njerëzore.

“Ne nuk e kemi një muze të tillë, ndërkohë që komuniteti arbëresh ka ruajtur me shumë fanatizëm relike të jashtëzakonshme dhe përfaqësuesit e atij komuniteti janë më shumë se sa të dëshiruar që ta kenë në Shqipëri, Muzeun e Arbëreshëve, të cilit i kemi gjetur edhe vendin. Ku tjetër përveçse në Kalanë e Skënderbeut”, tha Rama.

Po ashtu, Rama theksoi se është bërë edhe një ditë e verërave duke çuar disa nga prodhuesit e verërave tona në Arbëri.

Ai informoi se do të ndërtohet edhe një kalendar për t’i lidhur bashkë prodhuesit sepse në fund të fundit janë të gjitha verëra shqiptare.

Fjala e kryeministrit Edi Rama në samitin e Ditës Arbëreshe në Tiranë:

Është një privilegj përveç se një kënaqësi që t’ju drejtohesh stërnipërve dhe stërmbesave më të afërta të Skënderbeut në gjuhën e Skënderbeut këtu sot në Ditën e Arbëreshëve pjesë ekskluzive e këtij Samiti të 3 të Disasporës që mbledh në një Shqipërinë me shqiptarët.

Në kapërcim të vitit 1466, Gjergj Kastrioti me një shpurë kalorësish udhëtoi për herë të fundit në tokën italiane. Kronikëshkruesit rrëfejnë se me të zbarkuar në Ankona, Gjergj Kastrioti mbajti një lutje për Arbërinë. Në Romë kaloi Krishtlindjet së bashku me Papa Palin II. Ai zgjodhi të rehatohej tek një mik arbëresh, aty ku sot ndodhet godina e Presidencës së Italisë.

Kronikat e kohës tregojnë dhe se si Gjergji i shqiptarëve kishte ngjallur kudo kureshtje jo vetëm prej jehonës së guximit dhe triumfeve në fushëbetejë por edhe për gjuhën e pazakontë, zakonet e panjohura të popullit të tij. Kurorat më të bukura janë ato që nuk fishken kurrë, thoshte Jul Bariboba.

Puna mua më ka çuar në shumë vende dhe mes shumë kulturash të ndryshme, tërheqëse, të bukura, por emocioni i vizitës tek arbëreshët më ka mbetur në një raft të veçantë të kujtesës si ato librat e kahershëm të miniaturave të mrekullueshme. Dhe i kam të pashlyeshme mbresat e sheshit të vogël të qytezës së parë ku zbritëm, vallen dhe këngët e fëmijëve arbëreshë që na uruan mirëseardhjen, të moçmit e asaj qyteze që qëndronin nëpër ballkone, kishën arbërore ku na mikpritën hierarkët e lartë të saj dhe pasionin dhe merakun për gjuhën që na e shprehnin në të gjitha takimet.

Dhe pikërisht atje lindi edhe ideja e kësaj dite të veçantë arbëreshe, dhe për herë të parë mbase në 111 vjet ekzistencë të shtetit shqiptar, Arbëria dhe arbëreshët nuk janë thjesht një prezencë për të plotësuar një panoramë folklorike, as të ftuar për të zbukuruar këtë samit me veshjet e tyre, por janë të pranishëm përmes një përfaqësie të tyre dhe natyrisht edhe përmes kësaj përpjekje të përbashkët për të vendosur një gur në një rrugë që duhet ta vazhdojmë së bashku. Dhe atje lindi dhe ideja e një duarshtrëngimi institucional jo për t’u rindarë, duke thënë mirë u pafshim, gëzohemi që u pamë edhe kur te shihemi prapë, por për të ndërtuar një proces duke ecuar dorë për dore në funksion të një mbështetje më të strukturuar dhe sistematike që shteti shqiptar duhet t’i japi këtij thesari të historisë sonë të cilin pasioni dhe amaneti i trashëguar brez pas brezi e ka ruajtur në kaq shumë shekuj dhe edhe pse arbëreshët janë integruar tërësisht në bashkësinë e madhe italiane, të gjitha të mirat e asaj bashkësie nuk ja u kanë tretur pasionin e atij amaneti që sot po sfidohet jo nga neglizhenca e arbëreshëve, por po sfidohet nga koha e cila po sjell shumë furtuna të natyrës demografike për të gjithë dhe po sjell të reja të paimagjinueshme deri dje për fëmijët që po kthehen në një shqetësim botëror për mësimin edhe për lartësimin e gjuhës së vendit ku jetojnë, dhe jo më të gjuhëve si kjo e arbëreshëve që është një nga gjërat e rralla të kësaj bote. E dimë shumë mirë se vetë gjuha shqipe është e kërcënuar nga varfërimi, nga deformimet, nga humbja e thellësisë së saj si rezultat i shumë arsyeve. Por imagjinoni se sa më të vështirë e kanë arbëreshët dhe për këtë arsye ne kemi vendosur që të hapim këtë proces që nisi me format që u hodhën sot këtu mes kryetarit të Bashkisë Tiranës dhe një përfaqësues të komunave arbëreshe që do vazhdojë me binjakëzim të gjitha bashkive tona me të gjitha komunat arbëreshe, jemi pak a shumë në numra të përafërt dhe do ndërtojmë program të posaçëm të mbështetur nga qeveria për bashkitë për t’i dhënë jetë këtij binjakëzimi dhe për ta kthyer në një urë që të krijojë mundësi komunikimi mes komunitetit arbëresh edhe Shqipërisë.

Po atje në ato ditë lindi edhe ideja e muzeut arbëresh në Shqipëri. Ne nuk e kemi një muze, ndërkohë që komiteti arbëresh ka ruajtur me fanatizëm reliket të jashtëzakonshëm dhe përfaqësuesit e atij komuniteti janë më shumë se sa të dëshiruar që ta kenë në Shqipëri muzeun e Arbëreshëve, të cilit i kemi gjetur vendin edhe ku tjetër përveç se në kalanë e Skënderbeut.

Dhe janë një sërë idesh të tjera, që nga këto institucionale deri te ato që i japin jetë kësaj marrëdhënie. Që nga ditët e verës, kemi bërë një ditë të parë të verërave duke çuar disa nga prodhuesit e verërave tona në Arbëri dhe do ndërtojmë edhe për këtë një kalendar për t’i lidhur bashkë prodhuesit sepse janë të gjitha verëra shqiptare.

E deri tek programi i marrjes dhe çuarjes së fëmijëve nga komunat arbëreshe në bashkitë tona nëpër familje dhe nga bashkitë tona tek komunat arbëreshe nëpër familje.

Arbëreshët e morën me vete Shqipërinë kalorësiake e ruajtën të gjallë me shumë fanatizëm atë identitet të vjetër dhe ja dolën për kaq shumë shekuj. Për ne ka një rëndësi të madhe që po ashtu ta shikojmë edhe më thellë këtë thesar tek vepra dhe trashëgimia e atyre profesorëve të shquar, sepse është një kontribut i jashtëzakonshëm në një nivel tjetër akademik shkencor.

Kur i kërkuan të përshkruajë veten, një kryeministër i famshëm i Italisë, Françesko Krispi, shok i Garibaldit, shok i Macinit dhe Bismarkut, arbëresh, tha për veten e tij, maja e Etnës e patrazuar nën shtrojën e borës që ndizet përbrenda nga llava e një materie shekullore. Më bukur se kaq nuk mund ta përshkruajë askush veten e arbëreshëve. Për ne është shumë e çmuar ajo llavë materie shekullore nën atë majën e Etnës dhe duke më dëgjuar mua shpresoj që arbëreshët mos kenë pëshpëritur atë shprehjen e tyre, jo të gjitha këto që po thua janë të vërteta. Uroj shumë që së bashku të bëjmë shumëçka që duhet bërë patjetër, duke marrë shembull nga energjia dhe kurora juaj që kurrë nuk fishket.