Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli regjistroi ditën e sotme në Gjykatë e Rrethit Tiranë, partinë e saj “Lëvizja për Ndryshim” dhe në këtë mënyrë ajo pritet të përfshihet në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Partia, e cila do të ketë si akronim gërmat “LN”, u themelua nga Topalli, Adela Kryeziu, Evald Serreqi dhe Najada Selmani dhe një numër anëtarësie prej 5,199 personash.
Ngjyrat e partisë do të jenë e bardha, bluja dhe portokallia.
Prej muajit tetor Topalli paralajmëroi përfshirjen në një parti të re.
Ish-kryetarja e Kuvendit ka qenë një nga kritiket më të forta të udhëheqjes së re të PD-së nën kryetarin Lulzim Basha.
Ajo është shprehur se nëse opozita e Bashës do të kishte qenë më e fortë “qeveria e Ramës do të ishte rrëzuar me kohë”.
“Lëvizja për Ndryshim” vjen sipas Topallit si nevojë për të larguar nga pushteti drejtuesit e partive të mëdha dhe për t’iu dhënë mundësi më shumë të rinjve dhe intelektualëve shqiptarë për t’u përfshirë në vendimmarrje.
Sikurse e ka cilësuar Topalli, partia e saj “ka kryesisht elektorat nga e djathta” megjithatë ajo nuk ka përjashtuar mundësitë që nisma e saj të fitojë mbështetje edhe nga socialistët, pasi ajo thotë se “edhe ata janë zhgënjyer nga qeverisja e Ramës”.