Bota “Gati të rikthej palët në tryezën e negociatave”, mesazhi i Erdogan për...

“Gati të rikthej palët në tryezën e negociatave”, mesazhi i Erdogan për Samitin e Ukrainës në Tiranë

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, është drejtuar me një fjalë përshëndetëse nëpërmjet një videoje në Samitin për Ukrainën që mbahet në Tiranë. Gjatë fjalës së tij drejtuar të pranishmve në Samitin për Ukrainën, Erdogan ka deklaruar se është gati që të rikthejë palët në tryezën e negociatave, ashtu siç ka bërë edhe më herët.

Presidenti Erdogan: Jemi gati të rikthejmë palët në tryezën e negociatave, ashtu siç e bëmë në fillim të luftës në Stamboll. Dua të përshëndes pjesëmarrësit në këtë samit, në mënyrë të veçantë mikun tim, kryeministrin Edi Rama dhe të gjithë ata që kanë kontributin e tyre në organizimin e këtij samiti. 

Në fjalën përshëndetëse për Samitin për Ukrainën, Presidenti Erdogan ka rikonfirmuar mbështetjen për sigurinë dhe sovranitetin territorital të shtetit ukrainas teksa ka premtuar se Turqia do të kontribuojë në ndërtimin e Ukrainës.

Presidenti Erdogan: Turqia mbështet Pavarësinë e Ukrainës, sigurinë dhe sovranitetin territorial. Ne po bëjmë gjithçka të mundur që të mbrojmë të drejtat e tatarëve të Krimesë. Ne do të marrim pjesë dhe kontribuojmë për ndërtimin e shpejtë të Ukrainës. Ne kemi bërë të gjitha përpjekjet tona, ndonëse asnjëherë nuk është mjaftueshëm për të vendosur paqen. Unë vijoj që të ruaj vizionin tim për të pasur një paqe të gjatë për t’i zgjidhur gjërat me diplomaci dhe t’i japim një shans dialogut. Ne duhet të përdorim të gjitha kanalet diplomatike për të arritur qëllimet tona. Unë besoj në përpjekjet tona të përbashkëta për të caktuar një kornizë të përgjithshme të paqes. Në parim, ne mbështesim planin me 10 pika të paqes të Presidentit Zelensky. Ne gjithashtu, kemi qenë mbështetës të planit të tij për të garantuar sigurinë ushqimore. Që Plani i Paqes të ketë sukses, ai duhet të përfshijë të gjitha palët. Nisma e grurit e Detit të Zi, e cila është themeluar me përpjekjet tona të përbashkëta, duhet të jetë në axhendë. Duhet të ketë përpjekje të përbashkëta për të garantuar lundrimin në Detin e Zi. Ne mbetemi në kontakt me palët në Detin e Zi dhe do të punojmë për vendosjen e sigurisë.