Sport Gattuso rrezikon shkarkimin: Po turpërojmë një klub historik!

Gattuso rrezikon shkarkimin: Po turpërojmë një klub historik!

Genaro Gattuso nuk e fsheh zhgënjimin për atë humbje të rëndë që Milani i tij pësoi në sfidën ndaj Torinos. Ditën e sotme do të mësohet edhe e ardhmja e ish-mesfushorit në stolin e kuqezinjëve, mbetet për t’u parë vendimi që do të marrin Gazidis, Leonardo dhe Maldini me të cilët trajneri ka patur një takim pas ndeshjes dhe i pyetur për këtë çështje nëse rrezikon seriozisht shkarkimin ai ua kaloi topin drejtuesve.

Në përfundim të sfidës ndaj skuadrës Granata, Gattusso u shpreh në konferencën për shtyp se me paraqitjet e dobëta që po bëjnë futbollistët e tij në fushë po turpërojnë një klub legjendar si Milani ndërsa shtoi se përgjegjësi kryesor për rezultatet negative të këtyre javëve të fundit është vetë ai.

“Mendoj se u ndëshkuam nga një incident. Sot skuadra bëri atë që duhet të bënte, ishte thjesht ai incident. Torino të detyron të luash keq, kemi krijuar mundësitë tona, por nuk mund të shkaktojmë një penallti aq naive. Nuk po kënaqemi aq shumë sa dy muaj më parë. Nuk jemi të mprehtë, mendojmë shumë dhe kjo na heq entuziazmin. Prandaj e them që nuk mund të hyj në mendjen e lojtarëve pasi unë dua që ata të kenë shpirt luftarak dhe vendosmëri, por nuk po ndodh. Unë jam përgjegjës për rezultatet.

Jo vetëm që po marrim rezultate të turpshme, por jemi duke turpëruar një klub historik. Zgjodha Cutrone-n në sulm sepse doja që të bënim pasime më të shpejta përpara, por nuk kemi lëvizur mirë. Nuk është problem fizik. Na mungon qetësia dhe një ecuri pozitive që të na japë besim. Jemi duke goditur veten tonë në fytyrë“, tha Gattusso.