Mjaft me muhabete kafenesh mbi raportin e Gatuzos dhe Leonardos apo edhe Maldinin. Te Milani punohet dhe synohet vetëm Liga e Kampionëve. Është kjo këshilla e dhënë për vartësit nga ana e Ivan Gazidhisit. Për sa i përket trajnerit, ai i ka bërë të qarta mendimet e tij dhe kërkon përqendrim te momenti dhe skuadra.
Kjo qasje e Rinos është pasojë e deklaratave që ngjallën polemika dy javë më parë, por edhe e një urdhri të ardhur nga lart. Siç bën të ditur “La Repubblica”, Ivan Gazidhis nuk e ka pritur mirë kaosin mediatik mbi një konflikt mes Gatuzos dhe Leonardos. Administratori i deleguar ka qenë i qartë, duke kërkuar një ndërprerje të polemikave dhe një raport profesional, duke parë emrin e klubit dhe momentin që po kalon ekipi.
RAPORTE
E ardhmja e Milanit është e tashmja. Trajneri është i përqendruar tek ekipi dhe objektivi i paracaktuar në fillim të sezonit, e thënë ndryshe vendi i katërt. Pavarësisht “udhëzimeve” të Gazidhisit, tekniku 41-vjeçar duket sikur e ka ndarë mendjen për karrierën e tij. Raporti me Leonardon sado të qetësohet, nuk do të bazohet kurrë mbi besimin reciprok.
I kësaj ideje është edhe Rino që me sa bëjnë të ditur mediat italiane, e ka vendosur fatin e tij. Me ose pa vend të katërt, trajneri duket se ka vendosur të largohet nga Milani sapo të përfundojë ndeshja e javës së 38-të të Serisë A, ajo ndaj Spalit e programuar më 26 maj.
REFLEKTIME
Në futboll nuk i dihet kurrë, por megjithëse nuk flitet për shkencë ekzakte, Gatuzo vështirë se do të vijojë të drejtojë kuqezinjtë. Dashuria për Milanin nuk njeh kushte, por për një punë normale disa situata duhet të jenë të përcaktuara mirë.
Përveç raportit me Leonardon, trajneri nuk ndien besim as nga Ivan Gazidhisi. Rino nuk i ka mirëpritur “audicionet” e këtij të fundit që kërkon në krye të Milanit një trajner me më shumë përvojë. Në këto rrethana, trajneri mund të zyrtarizojë vendimin e largimit, sinjalet e të cilit i dha në fund të marsit përpara ndeshjes me Sampdorian kur deklaronte: “Të ardhmen time e njoftoj pas dy muajsh”.