Milani do të luajë ditën e nesërme një ndeshje të rëndësishme ndaj Fiorentinës. Kuqezinjtë kërkojnë të rikthehen te fitorja për të ruajtur vendin që të çon në Ligën e Kampionëve. Trajneri Gatuzo në prag të takimit ka komentuar disa çështje.
“Klubi më ka kërkuar që të kualifikohemi në Champions, është e vështirë, por do të përpiqemi. Jemi në vendin e katërt, por duket sikur jemi në vendin e tetë dhe ndjejmë përgjegjësi. Është privilegj për mua të drejtoj Milanin”, u shpreh fillimisht tekniku.
Më pas ai komentoi edhe zërat e merkatos, që e çojnë Higuainin në Londër te Çelsi. “Nuk kam asnjë dyshim për Higuainin, vetëm duhet t’i vendos lojtarët në kushte që të japin maksimumin. Problem nuk është vetëm Higuain, por edhe Suso. E gjithë skuadra po luan me frena dore. Për sa i përket zërave të shkembimit Higuain-Morata, nuk mendoj se Çelsi është një ekip që mund të blejë një futbollist 31-vjeçar”, përfundoi Gatuzo.