Liverpool ka kërkuar që të nisë një hetim, pasi ndaj tifozëve të klubit anglez, përfshirë gra shtatzëna dhe fëmijë, është përdorur gaz lotsjellës nga policia franceze, përpara nisjes së finales së Champions League.
Trazirat bënë që ndeshja Real Madrid-Liverpool të shtyhej me 36 minuta, pasi tifozë pa bileta u munduan që të futen në Stade de France.
Policia franceze u mundua të vendoste rregull duke përdorur edhe gazin lotsjellës, ndërkohë që UEFA bëri me dije se kaosi ishte krijuar nga “mijëra tifozë të Liverpool që ishin përpjekur të hynin në stadium me bileta të rreme”.
Nga ana tjetër, Liverpool doli me komunikatë zyrtare, në të cilën lexohet: “Jemi shumë të zhgënjyer me problemet në hyrje të stadiumit që patën tifozët tanë, në Stade de France”. Kjo është ndeshja më e madhe e futbollit evropian dhe tifozët nuk duhet të përjetojnë skena të tilla. Kemi kërkuar zyrtarisht nisjen e një hetimi mbi shkaqet që çuan në këto probleme të papranueshme”.