Një vajzë amerikane 4-vjeçare që mbahej nga Hamasi në Gazë u lirua të shtunën, tha Presidenti Joe Biden, ndërsa grupi militant njoftoi se dorëzoi 13 pengje izraelite, tre tajlandezë dhe një shtetas të Rusisë në ditën e tretë të armëpushimit me Izraelin.
Lirimi i disa prej pengjeve të marra kur militantët e Hamasit sulmuan në Izraelin jugor në 7 tetor, pritej të pasohej nga lirimi nga Izraeli i 39 të burgosurve të tjerë palestinezë, siç u veprua në ditët e mëparshme të armëpushimit.
Presidenti Biden tha se shpreson se pauza në luftimet mes Izraelit dhe Hamasit do të vazhdojë për sa kohë që do të vazhdojë lirimi i pengjeve. Ai tha se shpreson që amerikanë të tjerë do të lirohen nga Hamasi, megjithëse tha se nuk ka ndonjë tregues konkret.
Presidenti Biden tha se 4-vjeçarja Abigail Edan përjetoi vrasjen e prindërve të saj nga militantët e Hamasit gjatë sulmit të 7 tetorit në Izrael dhe se është mbajtur peng që nga ajo ditë.
“Është e paimagjinueshme çfarë përjetoi ajo”, tha Presidenti Biden gjatë një konference për shtypin amerikan.
Armëpushimi katërditor mundësoi ndërprerjen e parë të luftimeve gjatë shtatë javëve që kur Hamasi vrau 1200 persona në Izrael dhe mori peng në Gazë rreth 240 të tjerë.
Në kundërpërgjigje, Izraeli është zotuar ta shkatërrojë organizatën Hamas që drejton Gazën, duke e bombarduar këtë territor dhe duke bërë një ofensivë tokësore në pjesën veriore të tij. Rreth 14,800 palestinezë janë vrarë, thonë autoritetet shëndetësore në Gazë, dhe qindra mijëra persona janë zhvendosur.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u takua të shtunën me forcat e sigurisë brenda Rripit të Gazës dhe sinjalizoi se fushata ushtarake vazhdon.
“Asgjë nuk do të na ndalë, dhe jemi të bindur se kemi forcën, fuqinë, vullnetin dhe vendosmërinë për të arritur të gjithë objektivat e luftës, dhe këtë do të bëjmë”, tha ai.
Netanyahu bisedoi më vonë të dielën me Presidentin Biden.