“Kjo nuk është Ibiza”, – thotë me ironi një turist italian teksa largohet nga një nga klubet më të famshme të plazhit në Ksamil të Shqipërisë. Në telefon dëgjohet që po u tregon disa miqve për trajtimin (dhe mbi të gjitha çmimet) në ato plazhe që përkundrazi, duke i parë nga larg Italisë, dukeshin si parajsa e re: det i kristaltë, qetësi, pa kaos, fatura pa surpriza.
Megjithatë, entuziazmi që zgjati disa javë, në realitet duket tashmë i shfryrë. Dëshmitë e shumta online, por jo vetëm, të italianëve që kanë kaluar disa ditë në Shqipëri tregojnë në vend një skenar krejtësisht tjetër. Çadra të mbushura me njerëz, çmime shumë të larta, pagesa pothuajse vetëm me para në dorë (dhe në monedhën vendase lek shqiptar), zero parkim.
“Shantazhe” për çadrat
“Arritëm në Plazhin e Pulëbardhës pas një rruge të gjatë. Për më shumë se një kilometër rruga ishte e pashtruar. Dhe skenari që kemi përpara syve, duke e parë nga lart, në fakt na lë pa fjalë, sepse deti ishte i bukur” – thotë Flavia, një turiste që ndodhej në Shqipëri në 15 gusht.
“Megjithatë, kur mbërritëm në plazh, mbetëm pa fjalë. Ne kërkuam një çadër dhe dy shezlongë dhe na thanë që nëse do të hanim drekë në restorantin e plazhit, çmimi do të ishte 2500 lekë (rreth 25 euro) ndërsa pa drekë do të ishte 3000 lekë (30 euro). Si mund të ndryshojnë çmimet në bazë të kësaj zgjedhjeje?”. Ata që shpresonin të largoheshin nga kaosi i plazheve italiane janë zhgënjyer në Shqipëri.
“Çadrat e grumbulluara njëra mbi tjetrën. Mund të shihni se si përpiqen të shfrytëzojnë sa më shumë këto struktura në mes të natyrës. Në fund vendosëm të hanim drekë në restorant, duke paguar 5 euro më pak për çadrën dhe shezlongët. Por kaosi mbretëronte edhe në restorant. Kishim porositur edhe një peshk koce, por në fund u kërkuam të mos e sillnim sepse po prisnim aq shumë”.
Kafeja 4.50 euro dhe një çadër 200 euro
Çmimet e restoranteve në Shqipëri priren të jenë më të ulëta se në Itali, por vetëm nëse vendosni të vizitoni ato plazhe më pak në modë. Sepse në Sarandë dhe Ksamil, dy destinacionet e zgjedhura nga të gjithë për pushime në Shqipëri, tarifat janë të stilit Ibiza.
“Një kafe kushton 4.50 euro, një çadër e madhe për 3 persona kushton 50 euro, por të tjerat janë me çmime edhe më të larta dhe shkojnë deri në 200 euro. Shumë nga ato që thuhen për Shqipërinë në Itali janë të vërteta, të paktën këtu në Ksamil” – tregon ajo.
Por edhe ata që nuk kanë miq apo të afërm që kanë shkuar për pushime në Shqipëri, mund të kontrollojnë komentet më të fundit.
“Të sponsorizuara ka gjithandej video të realizuara nga “influencers”, por realiteti është krejtësisht ndryshe” – shkruan një përdorues në rrjetet sociale. “Plazhe të vogla plot me çadra dhe shezllone. Kudo, zhavorr në vend të rërës që e sjellin me kamionë të posaçëm, ujë i turbullt, jet ski që ecin gjithë ditën majtas-djathtas me erën e shpifur të benzinës. Vrazhdësi. Ngasin keq makinat dhe ka gjithmonë trafik. Çmime të larta sikur të ishim në Miami, papastërti kudo dhe rrugë të këqija. Një makth” – thuhet në komente.
Krahasimi me Italinë
Por kjo nuk është e gjitha. “Trafiku i egër, edukata e futur në sirtar, pisllëku dhe qentë endacakë në nivele të pahijshme. Çmimet shumë më të larta se sa pritej. Në Ksamil kemi paguar një çadër dhe 2 shezlongë nga 25 € në 50 € në ditë. Nuk do të kthehemi më kurrë”, – thotë një tjetër italian në rrjetet sociale. Ata që kërkojnë plazhe dhe zona me më shumë jetë nate nuk janë kthyer të kënaqur.
“Flitet shumë për Italinë, ku çmimet shpesh janë të ekzagjeruara, por aty ka shërbim. Këtu janë në një fazë transformimi dhe për momentin vetëm kanë rritur çmimet pa përshtatur strukturat”, – thotë një turist.
Me pak fjalë, “sekreti” është që të marrësh informacione përpara se të largohesh për të shmangur surprizat e këqija. Nga ana tjetër, shumë italianë e nisën këtë vit të nxitur nga komentet që tregonin për çadrat dhe shezlonget për 10 euro dhe darkat e peshkut me 20 euro. Ato ekzistojnë në Shqipëri, por rrallë në zonat e njohura. Duke e parë nga perëndimi i diellit të Sarandës, Italia duket pak më afër (dhe më e bukur).
Burimi: “Il Messaggero”