Shkruar nga Raimonda Moisiu-Sade
Diaspora shqiptare vazhdon përpjekjet për të njehsuar identitetin kombëtar në formë e përmbajtje me barasvlerën e vlerave kombëtare mes gamës së gjerë të kulturave dhe komuniteteve të ndryshme në shoqërinë demokratike amerikane -multikulturore. Nevoja për zërat e kulturave të ndryshme është bindëse dhe domsodoshmëri e komunikimit të tyre, si shprehi të humanizmit thelbësor dhe pikëpamjes teorike se raca, kultura, etnia në shoqërinë demokratike nuk janë variabla të jashtme, por më tepër tipare të qenësishme në procesin e vazhdueshëm të integrimit të tyre dhe pjesëmarrjes në jetën social-kulturore dhe diskursit politik. Me këtë rast dua të sjell pasqyrën freskuese dhe zërin e shpirtit femëror, intektual e krijues, vetëdijen e cilësive shpirtërore të gruas shqiptaro-amerikane me vizionin, pozitën dhe historinë e saj, -dhe jo vetëm kaq-por e bukur dhe unike. Veçmas arritjeve të ndjeshme, të prekëshme e të realizueshme, domethënies kulturore nga koha në kohë dhe ndryshimin brenda konteksteve social-ekonomike-kulturore dhe politike në ambientin e tolerancës për diversitet, për të qenë e barabartë mes të barabartëve dhe për të arritur qëllimin e përbashkët, – dinjitet e mundësi të barabarta me diversitetin e pasur multikulturor dhe pluralist. Si kurrë më parë gruaja shqiptaro-amerikane ka më shumë hapësirë mes zërave të ndryshëm multicanionalë, si ajo të arrijë ëndrrën dhe shpresën ende e papërmbushur me vlerën e diversitetit, për të ndërtuar urat e mundësitë falë punës dhe kontributit të saj krijues, qytetar e intelektual, që nënkupton të vërtetën e madhe se brenda forcës së krahëve e duarve, mendjes e dijes, ka perspektiva të ndryshme nga perspektivat e shumicës. Sot Diaspora Shqiptare ndjehet krenare që ka në gjirin e saj gra intelektuale tashmë të afirmuar; shkrimtare e poete, publiciste e politikane, piktore e pedagoge, artiste me emër e famë, veprimtare dhe aktiviste të çështjes kombëtare, patriote e adhuruese të artit në përgjithësi, që i shërbejnë qëllimit të universit së të drejtave të komunitetit shqiptar në një status të barabartë me botën e qytetëruar amerikane, vazhdimësisë e përjetësimit të traditës, kulturës, gjuhës shqipe, historisë, letrave shqipe, ashtu sikundër kanë bërë paraardhësit, në ecje me kohën e kanë dëshmuar potencialin e tyre intelektual, dijet, aftësitë krijuese, talentin e mrekullueshëm, vlerat dhe virtytet e tyre. Ato janë heroinat e heshtura me penë, që pavarësisht mundësive që ofron Amerika, ato përballen me vështirësitë që hasen në emigracion dhe kontributi i tyre është më tepër angazhim vullnetar ekstra prej punës e obligimeve të ndryshme familjare e ekonomike. Ato i shërbejnë, jo vetëm pretendimit legjitim për dinjitet e mundësi të barabarta mes kulturave të tjera në tokën amerikane, në Diasporë, por edhe atdheut tonë e gjithë trevave shqiptare të Shqipërisë etnike, -kombit shqiptar. Kjo është ndjenjë atdhetarie dhe qytetarie e veçantë, për t’ju lënë brezave të ardhshëm, koloritin e çmuar të vlerave kombëtare për të bërë historinë. Dhe nuk ka gjë më të madhërishme se t’i shërbesh çështjes kombëtare, të integrosh kulturën dhe artin, emrin e mirë të shqiptarit, identitetin kombëtar, në tokën e huaj, ta bësh pjesë të kulturave të ndryshme në Amerikën multikulturore dhe në botë. Fusha e komunikimit në gazetarinë shqiptaro-amerikane në kohët e hershme ka qënë e dominuar nga zërat mashkullorë. Sipas disa hulumtimeve zbulova disa të dhëna të vakëta, por domethënëse, rreth tre vajzave shqiptaro -amerikane, që së bashku me Sevasti Qiriazin, kanë shkruar disa poezi e shkrime publicistike në dekadat e para të shekullit të XX-të, përkatësisht në revistat “Përparimi”, 1917-ë dhe “Kalendar i Botës” e vitit 1938-të, rubrika kulturë e aktualitet. Njëra prej tyre është Vasiliqi Elia, e bija e Thoma Kondit nga Korça e lindur në Athinë dhe e emigruar në SHBA-ës, që fëmijë. Ajo ka shkruar në greqisht dhe anglisht. Tjetra është një vajzë nga Vithkuqi i Korcës-e quajtur Bara e rrëmbyer nga një grek dhe e shitur në Boston një tregëtari me origjinë greke, i cili e mbajti grua që në moshën 13 vjeçe dhe kur ajo u bë 18 vjeçe, e divorcoi. Me ndihmën e Sevasti Qiriazit fitoi gjyqin duke i marrë edhe pjesën e pasurisë. Pas kësaj Bara nisi të shkruajë në revistën “Përparimi” për jetën e saj. E treta është shqiptarja Antoneta Limoni, e bija e Tasi dhe Thomaidha Limoni nga Shën Mërtiri. Do të më duhet të sjell në kujtesë edhe amerikanen Sara Panariti, gruaja e botuesit të gazetës më të vjetër shqiptare në Amerikë dhe botën shqiptare, “Dielli”, -Qerim Panaritit.
Në arkivin e “CNN” dhe “Zërit të Amerikës”, një vend të veçantë zë edhe profili i gazetares, publicistes dhe intelektuales së shquar shqiptare, -Nexhmije Zajmi, -e cila bëri emër në median amerikane. Shumë personalitete të njohura të medias amerikane e përmendin herë pas here kontributin e reporteres e gazetares shqiptare, që për asnjë çast nuk u tërhoq nga rruga e saj, nga angazhimi në shërbim të çështjes shqiptare dhe shqiptarizmës. Ndër kujtimet, shkrimet e artikujt e shkruar prej saj, që ruhen nga i biri, fakte tejet domethënëse dhe me shumë vlerë, përvec mbresave dhe kujtimeve, ajo vecon konsideratat që senatorë e kongresmenë amerikanë shfaqnin hapur për kulturën, aftësitë diplomatike dhe inteligjencën e diplomatit shqiptar, Faik Konica. Ajo është ndër personalitet shqiptare që ka marrë me dhjetëra dekorata nga institucionet ndërkombëtare, nga shoqëria amerikane e veteranëve të luftës “American Legion”, titullin e nderit “Komandante e Kryqit Italian”, “Medaljen e Mirënjohjes” nga presidenti i SHBA-së, Franklin Delano Rusvelt.
Ajo ka qënë zv/presidente e Vatrës në mes-vitet ’80, kryetare për degët e NYork & NJersey. Është autore e librit “Daughter of the Eagel” (Bija e Shqipes”.)
Në mesin e komunitetit të gazetareve shqiptaro-amerikane të njohura dhe me influencë tashmë në median amerikane, ndërkombëtare, dhe kombëtare, janë gazetaret e institucionit të transmetimit, një nga pesë transmetuesit ndërkombëtarë që operon në 43 gjuhë të botës, – Zëri i Amerikës. Ato janë; Isabela Cocoli, Zamira Edwards, Laura Konda, Mirela Milori, Rudina Dervishi, Ardita Dunellari, Keida Kostreci, Klementina Cenkollari, Ilva Tare, etj, -të cilat nëpërmjet programeve në gjuhën shqipe promovojnë lirinë dhe vlerat e demokracisë amerikane, mbajnë audiencën shqiptaro-amerikane, botën shqiptare ngado, të mirëinformuar me ndryshimet social –ekonomike, politike e kulturore, proceset demokratike, ngjarjet historike e aktuale, brenda e jashtë trojeve shqiptare. Zëri i Amerikës në shqip, sikundër atëhere dhe sot, vazhdon të luajë një rol jetik për t’u sjellë shqiptarëve informacione të paanashme, të sakta dhe objektive, mbi zhvillimet në vendet e tyre, në botë dhe në Shtetet e Bashkuara.
Shkrimtarja Rozi Theohari, e cila është ndarë nga jete më 13 dhjetor e vitit 2014-ë. Rozi ishte një gazetare profesioniste dhe publiciste mjaft prodhimtare dhe e spikatur në gazetarinë e hershme shqiptare, me një karrierë brilante në shtypin shqiptar, më pas e deri më sot në Diasporë. Krijimtaria e saj karakterizohet nga një gjuhë e pastër, rëndësia, përkushtimi që ajo u kushton ngjarjeve dhe mbresave historike, për të cilat vendos të shkruajë, përshkrimin me ndjenjë e profesionalizëm, janë disa nga pikat e forta në publicistikën e saj. Pena e saj publicistike mjaft e njohur me editoriale, reportazhe, esse, opinione e kolumnat e saj në shtypin shqiptar në Shqipëri, në gazetën Dielli, Iliria, revista “Kuvendi, në SHBA-ës, Fjala e Lirë, Londër, paraqesin Amerikën në dy plane, si -Vendi i Lirisë e i demokracisë i mbështetur në ligje të palëkundëshme dhe vendi i mijëra emigrantëve shqiptarë. Në vazhdën e traditës Rozi Theohari, në raport me vitet dhe me epokën, nuk rreshti së shkruari, duke sjellë të gjalla ëndrrat, shpresat, kontributin, veprat, idetë e shqiptarëve të parë të vendosur në Boston – e quajtur ndryshe-Rilindja Kombëtare- të Nolit e Konicës, Qerim Panaritit e Sotir Pecit, Josif e Vasil Pani, Goni Katundi dhe Kol Tromara, Anthony Athanas, Kristaq Trebicka e At Arthur Liolini, Kosovës e Camërisë, të shqiptarëve të vjetër e të rinj që jetojnë e punojnë në Boston. Rozi Theohari manifeston talent, energji, vullnet dhe ndjenja thellësisht humane. Shkrimtarja e publicistja Rozi Theohari, autore e dhjetra librave në publicistikë, prozë e poezi, e përkthyer në gjuhën angleze dhe e vlerësuar me cmime kombëtare e ndërkombëtare si Pena e Artë dhe çmimi ndërkombëtar i nderit “Naji Naaman Literary Award”.
Publicistja, mësonjësja dhe shkrimtarja Eglandina Mandia, e cila është ndarë nga jeta në dhjetor të vitit 2022, me banim në Windsor, Ontario të Kanadasë. Në të tre aspektet e jetës së saj si mësuese, familjare dhe krijuese ajo u shqua për përkushtim profesional, rregull dhe pastërti morale. Pas skicave e tregimeve të para ajo kaloi në hartim veprash të mëdha si novela, drama dhe biografi të letrarizuara. Seria e botimeve të saj ka arritur në 11 libra, dy prej të cilave janë botuar dy herë. Vecmas librat publicistik,”Në çdo pëllëmbë të Tokës sime”.“Lisat e mëdhenj”me temë heroizmin e gjysmës tjetër të ndarë të Kombit, Kosovën, me gratë më trime se burrat, si Shota Galica, dhe gruaja e Bajram Currit, dhe familja e Isa Boletini, frymëzuar nga intervista me bashkëluftëtarë dhe pinjollët e tyre, si Rahime Radisheva, mbesa e Azem Galicës, të shpërngulur në Shqipëri, nga masakrat Serbe, në vitet 20 të shekullit të kaluar.
Albana Mëlyshi -Lifschin, një nga pioneret e para të gazetarisë shqiptare –femra. Diplomohet në vitin 1973, në Universitetin e Tiranës. Fillimisht punoi tek gazeta “Zëri i Rinisë” dhe në vitin 1977-ë, në (TVSH) punoi si gazetare dhe përgjegjëse e redaksisë për moshat shkollore, deri në vitin 1992, para largimit në New Jork. Në vitin 2001, Albana mbaron studimet në Universitetin prestigjoz të Nju Jorkut (NYU). Është bashkëpunëtorja më e vjetër e gazetës shqiptaro-aemerikane “Iliria”, e ka filluar bashkëpunimin me këtë gazetë që në dhjetor të vitit 1992, me reportazhe, opinione, esse, këndvështrime letrare dhe shkrimeve publicistike. Ka disa dekada që mban rubrikën e përjavëshme në ndihmë të emigrantëve;“Cështje të emigracionit”. E vlerësuar nga Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave në New York, për kontributin e saj si gazetare e karrierës me “Certificate of Achivement”, dhe Shoqata e grave shqiptaro-amerikane e mirënjohur “Motrat Qiriazi” e ka vlerësuar si “Gruaja e Vitit”. Shkrimtarja dhe gazetarja Albana Lifschin, ka shkruar librin dokumentar në anglisht dhe shqip “Children of Kosova –stories of horror”(Fëmijët e Kosovës-histori tmerri) për ngjarjet e vitit 1999, genocidit të popullsisë kosovare nga regjimi i Milosheviçit. Libri u vlerësua nga Bordi i Arsimit i New Jorkut, si tekst shkollor për studimet sociale. Gjithashtu libri i është dhuruar edhe ish presidentit Bill Klinton, në një takim që Albana pati me të. Është autore e dhjetra librave në poezi, prozë e publicistikë, në shqip e gjuhën angleze, e vlerësuar me cmime dhe me audiencë të admirueshme lexuesish në botën amerikane e shqiptare.
Poetja dhe publicistja Merita Bajraktari –McCormack-arritjet dhe eksperiencat e saj studimore, akademike dhe profesionale janë të nivelit të admirueshëm. Kontribuese në shtypin shqiptar të Diasporës, veçmas te gazeta “Dielli”, dhe në Shqipëri, Itali, dhe Kroaci, me artikuj, kolona, analiza letrare e sociale dhe shkrime publicistike. Merita është shkrimtarja e zgjedhur dhe e vetmja nga mëmëdheu ynë, mes 130 e ca kombeve që marrin pjesë nga Lewis Carroll Society of North America, për të kërkuar e shkruar mbi historinë 150 vjeçare të librave “Liza në botën e cudirave” me rastin e botimit të vëllimit të parë nga Lewis Caroll. Ajo është edhe një aktiviste e shquar e çështjes kombëtare. Presidente e Degës së Vatrës për zonën e Washington DC dhe shteteve përreth. Dega e Vatrës në këtë zonë u krijua për herë të parë në historinë shekullore të Vatrës dhe shënoi rigjallërimin e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës. Kontaktet e para janë rivendosur me Institucionet qeveritare amerikane dhe organizata të ndryshme që kanë të bëjnë me Kombin Shqiptar. Në bibliotekën e Kongresit Amerikan krijimi i seksionit shqiptar dhe ndarja nga seksioni sllavik i atribuohet kontributit të Degës dhe Meritës, për këmbënguljen sistematike e profesionale dhe veprimtarive të shumta në divizionin Europian. Objektivat e Degës janë vendosja e statujës së Nënë Terezës dhe Skënderbeut në kryeqytetin amerikan dhe mbështetja e brezit të ri shqiptaro-amerikan për të vazhduar misionin urëlidhës mes dy kombeve. Është autore e disa librave me poezi, tregime dhe publicistikë në shqip e gjuhën e angleze, pena krijuese e saj dallon mes letrave shqipe e çështjes kombëtare.
Në prag të rrëzimit të diktaturës, korrespondentja e parë grua nga Tirana që do të informonte nëpërmjet Radios “Zëri i Amerikës”, do të ishte poetja, publicistja, analistja dhe përkthyesja Elida Bucpapaj -bija e vetme e poetit e publicistit të njohur dhe të persekutuar nga regjimi –të shquarit e të paharruarit Vehbi Skënderi. Elida Bucpapaj është diplomuar në universitetin e Tiranës për Gjuhë –Letërsi, shkrimet e para filloi t’i botojë në shtypin e postdiktaturës, si te gazetat Atdheu, Kosova, Rilindja Demokratike dhe Tribuna Demokratike. Gazetare profesioniste me aktivitet për mëse tre dekada në Diasporë dhe 32 vjecar në shtypin shqiptar e atë shqiptaro-amerikan. Korrespondente, redaktore, editore, freelancer, autore, kolumniste – tek Zëri i Amerikës, tek Rilindja Demokratike, Zëri i Rinisë, Republika, Revista RTSH, dhjetra vite editorialiste tek Bota Sot. Prej vitesh së bashku me bashkëshortin e saj publicistin dhe shkrimtarin e njohur, Skënder Bucpapaj, janë editorë të portalit Voice of Albania. Po ashtu Edlira është bashkëpunëtore e rregullt me gazetën më të vjetër në Amerikë, Dielli -dhe gazetat e platformat në Diasporë. Ka të botuara mijra faqe publicistikë në gazetarinë shqiptare dhe atë shqiptaro-amerikane. Elida Buçpapaj ka lëvruar e vazhdon të lëvrojë me sukses pothuaj të gjitha zhanret e shkrimeve publicistike dhe letrare, që nga kronika, reportazhi, përshkrimi e deri tek analizat, komentet, replikat etj. Jep kontributin e saj tek Bota Sot si redaktore-kolumniste, duke mbuluar rubrikën e politikës, aktualitetin dhe kulturën. Autore prodhimtare dhe njohëse në mënyrë perfekte e katër gjuhëve të huaja anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe italisht, duke përkthyer në shqip majat e poezisë botërore. Autore e dhjetra librave në zhanret e poezisë, prozë, publicistikë e përkthimit dhe e vlerësuar me cmime kombëtare e ndërkombëtare.
Poetja dhe publicistja Iliriana Sulkuqi me urtësinë e mençurinë, madhështinë që e karakterizon për nga krijimtaria dhe personaliteti i saj, jeton midis New York-ut dhe Shqipërisë, mes poezisë e gazetarisë, ajo nuk ndalet, por vargu dhe pena e saj poetike e gazetareske vërshon vrullshëm kudo, në shtypin shqiptar, në Shqipëri, Kosovë, Ballkan, Amerikë, kudo në trojet shqiptare. Gjithkush që lexon publicistikën e Iliriana Sulkuqit befasohet nga forca dhe e vërteta e fjalës së saj, nga ‘vrapimi” i saj për të shkruar e krijuar me mesazhin i virtytit të mirësisë e një shportë sa qielli me dashuri, që e karakterizon këtë perlë të letrave shqipe. Kryredaktore e revistës tremujore “Pelegrini”, në bashkëpunim me botuesin e saj Nase Jani, bashkëpunëtore e korespondente e gazetave në shtypin shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Diasporë e SHBA-ës, në gazeta “Iliria”, Dielli, Fjala e Lirë, Londër etj. Ka qenë për dy mandate nën/kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Autore e dhjetra librave në poezi e publicistikë, e vlerësuar me cmime kombëtare e ndërkombëtare dhe e nominuar si Ambasadaore e Paqes.
Marjana Bulku Zeneli, -Gazetare, shkrimtare, moderatore opinioniste dhe filologe, një krijuese origjinale dhe e mirëfilltë letrare. Ajo i dha një tjetër jetë televizionit Kultura Shqiptare në këto 10 vjet me “Një Jetë, Disa Histori.” Një tjetër vizion intervistimi me pyetje spontane, duke ju permbajtur origjinalitetit të jetës së personazhit. Botimi më i ri i saj me titull “Një Jetë, Disa Histori” është një provë jetësore, me intervista, profile shqiptaro-amerikane, esse dhe refleksione letraro-gazetareske. Marjana ka dashur të zbardhë në letër atë experiencën e bukur të ekranit, po tashmë të parë në një tjetër këndvështrim: personazhet e intervistuara, është një transkriptim virtuoz i fjalëve të thëna prej të intervistuarve në intervistat televizive dhe online. Si filologe Marjan Zeneli Bulku shkruan në një stil krejt të veçantë nga librat e tjerë të këtij zhanrri, duke sjellë bashkë individualitete shqiptare të cilat udhëve të integrimit kalojnë, përvoja dhe sfida të përbashkëta, shumë prej të cilave janë iluminuese për të tjerët sot dhe nesër.
Eva Dori, përveç punëve të tjera që ajo kryhen në Filadelfia, nuk ka hequr dorë kurrë nga pasioni i saj për gazetarinë. Eva Dori është gazetarja e njohur në Shqipëri, por edhe në Amerikë, është vlerësuar me një certifikatë mirënjohje nga Shoqata Atdhetare Kulturore Shqiptaro-Amerikane “Bijtë e Shqipes”, Filadelfia, për pasqyrimin dhe publikimin e veprimtarive të shoqatës dhe Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” Filadelfia, në rrjetet sociale dhe media televizive në Shqipëri. Misioni për ruajtjen e gjuhës shqipe, promovimit të vlerave dhe traditave kulturore është një mision sa moral, njerëzor, detyrues, por aq edhe hyjnor, për Evën. Ajo qëndron në ballë të projekteve, misioneve dhe aktiviteteve, që kanë në thelb gjuhën shqipe dhe traditat shqiptare. Ajo është e palodhur, plot pasion dhe dëshirë për t’i dhënë dritë shqipes, kësaj gjuhe hyjnore që duket akoma më e bukur kur flitet edhe nga fëmijë që kanë lindur jashtë atdheut. Kur puna e palodhur dhe fisnike vlerësohet, dëshira dhe pasioni bëhet akoma edhe më i pashtershëm!
Aida Dismondy-i, e diplomuar Bachelor për gjuhën gjermane në Shqipëri dhe Masterin 2 vjecar në SHBA-ës, ke diplomuar me doktoratën në Jurisprudencë, ajo ka ravijëzuar profilin e saj në Diasporën shqiptare për kontributin, angazhmin shoqëror dhe atë të artit në vecanti, si poete, pikturiste, kritike letrare, publiciste, esseiste, bashkëpunëtore në shtypin shqiptaro-amerikan, përkatësisht te revista “Kuvendi”, Gazeta Iliria, Dielli, Fjala e Lirë, Londër, etj. Shkrimet e saj publicistikë kanë paraqitjen e dukëshme e të ndjeshme që prekin tema sociale: mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimet seksuale dhe dhuna ndaj femrave. Në dokumentarin me temë sociale cfaqur në New York para disa viteve Aida Dismondy-i bëri një ekspoze të gjendjes; se ku ndodhet gruaja sot, dhunës ndaj saj, ç’po bëhet e ç’duhet bërë, rëndësia e pjesëmarrjes së gruas në jetën aktive, politike e sociale për të garantuar që të drejtat e saj të vazhdojnë të mbrohen. Aida Dismondy-i si shumë gra krijuese në mërgim, larg atdheut, rrezaton shkëlqimin e vet të brendshëm, veçmas si gazetare e temave sociale.
Elmira Muja, gazetare profesioniste, jeton prej vitesh në West New York, New Jersey, USA. Që në moshë fare të re angazhohet në Radio-Kukësi e më pas në Radio –Tirana, gazetare dhe spikere e RTSH, deri në ditën që emigroi. Në Amerikë ajo tashmë është gazetare e medias së shkruar e vizive në shtypin shqiptaro-amerikan, përkatësisht në gazeta Iliria, Dielli, Revista Kuvendi , në TV- Albanian Culture i Adem Belliut, në Telegraf, etj., me artikuj të temave të ndryshme nga jeta social –ekonomike- kulturore e politike, analiza, reportazhe, mbulon rubrikën aktualitet dhe të kulturës në Diasporë. Dallohet në vecanti për pasqyrimin në shtypin shqiptar e atë shqiptaro-amerikan të historikut, aktivitetit dhe kontributit të Organizatës të Grave Shqiptaro-Amerikane “Motrat Qiriazi”.
Mimoza Dajci, gazetare profesioniste dhe aktiviste e mirënjohur në komunitetin shqiptaro-amerikan. Me artikuj të ndryshëm, shkrime, analiza, opinione, kolumna reportazhe dhe dossier, emrin e saj e has në shtypin shqiptar dhe Diasporë, në gazeta Iliria, Dielli, Kuvendi, në SHBA-ës, e Republika, Rilindja Demokratike në atdhe, Fjala e Lirë Londër etj. Rrëfimet e Mimozës për komunizmin çnjerëzor në Shqipëri janë të vërtetat drithëruese. Mimoza Dajçi, si përfaqësuese e asaj shtrese të popullsisë së persekutuar më egër nga diktatura, që s’donte të dinte se i përkiste një familje patriotësh me lidhje në trungun mes Isa Buletinit dhe Cerciz Topullit, është konseguente deri në fund në luftën e saj, shprehje e humanizmit njerëzor dhe respektit për viktimat e diktaturës, të cilat ajo i sjell nëpërmjet rubrikës dossier.
Shkrimtarja dhe publicistja, Dr.Yllka Filipi është diplomuar në Universitetin e Tiranës, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, e specializuar në Degën e Letërsisë dhe ka mbrojtur Master-in dhe Doktoraturën. Shkruan kritikë, publicistikë, poezi, prozë dhe esse. Ka botuar në periodikë të ndryshëm brenda e jashtë Shqipërisë, dhe e vlerësuar nga kritika kombëtare dhe ndërkombëtare si një zë unikal në letërsinë modern shqiptare. Ka vite që është bërë pjesë e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe e letrave shqipe në Diasporë. Aktualisht është Kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve shqiptaro-Amerikanë. Jeton dhe punon në New York, ku bashkëpunon midis të tjerash, me gazetën Illyria, Dielli në New York dhe Revistën Kuvendi në Michigan, Tirana Observer, Shqipëri. Është autore e dhjetra vëllimeve me poezi, publicistikë, studimorë dhe prozë, disa prej tyre në gjuhën spanjolle.
Arjeta Kotrri (Ferlushkaj- gazetare, kolumniste, esseiste dhe shkrimtare, nën/Kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Ka studiuar në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” në degën Gjuhë-Letërsi. Për një kohë të shkurtër ka punuar në median lokale të qytetit të Shkodrës, në atë audio-vizive si dhe në atë të shkruar. Në Universitetin e Tiranës ka kryer studimet Master në profilin “Studime Letrare”. Nga viti 2006-2016 ka punuar në Bibliotekën Shkencore të Universitetit të Shkodrës në pozicionin e përgjegjëses së Fondit të Librit Shqip si dhe ka mbuluar sektorin e aktiviteteve me organizimin dhe koordinimin takimeve/bashkëpunimeve promovuese dhe studimore pranë kësaj biblioteke. Ka mbajtur ligjërata si e ftuar në disa aktivitete letrare, kryesisht në Shkodër, si dhe në Tiranë, në Kosovë, në komunitetin shqiptar në Mal të Zi, New York, Stamford CT USA etj. Ka qenë anëtare e Institutit Alb-Shkenca nga 2009-2016 dhe ka marrë pjesë në seminare e konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka botuar artikuj publicistikë dhe studimorë në gazeta Dielli dhe Illyria, SHBA, revista e buletine shkencore brenda e jashtë Shqipërisë.
Në vitin 2008, ka marrë titullin “Mirënjohje” nga Shoqata Atdhetare “Dukagjini” në Shkodër. Në vitin 2016 ka marrë titullin “Mirënjohje” nga Federata Pan-Shqiptare “VATRA”. Në vitin 2021 është vlerësuar nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë me çmimin “Arshi Pipa”. Në vitin 2024 u vlerësua me një çmim mirënjohjeje nga shoqata “Albanian-American Dual Language and Culture” (AADLC) dhe një Proklamatë nderuese nga Bordi i Legjislatorëve të ëesychester County. Gjithashtu, në prill të vitit 2024 u vlerësua me çmim mirënjohjeje nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.
Është anëtare e Bordit Drejtues (Board of Directors) pranë shoqatës “Albanian-American Dual Language and Culture” (AADLC) në Neë York. Ka qenë anëtare e Bordit Drejtues të Pan-Federatës “Vatra” në New York. Si studiuese ka botuar studimin “Pasqyrat e postmodernitetit”, “Elemente të poetikës postmoderne në romanet e Ridvan Dibrës” në vitin 2012 nga shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë si dhe përmbledhjen me ese e studime letrare “The Old Bridge-Ura e vjetër”, New York 2020.
Elinda Marku, gruaja krijuese në mërgim, e angazhuar si editore në revistën periodike Kuvendi, së bashku me bashkëshortin e saj, botuesin e kësaj reviste shkrimtari e publicisti i njohur Pjetër Jaku. Poete dhe publiciste Elinda e thotë fjalën e saj të guximëshme, të thuktë e kryenece, nëpërmjet opinioneve, analiza, replika, komente, por edhe si krijimtari letraro-artistike. Shkruan vazhdimisht në revistën Kuvendi, Fjala e Lirë Londër, Tirana Observer, Shqipëri, Iliria e Dielli, Gazeta Kritika, -Amerikë. Është autore e disa vëllimeve me poezi dhe publicistika e saj botohet kryesisht te Revista Kuvendi, SHBA.
Me revistën Kuvendi bashkëpunon gjithashtu në rubrikat aktualitet e kulturë, edhe gazetarja Alma Prifti.
Publicistja e poetja Julia Gjika-Naci me emigrimin në SHBA-ës, natyrisht në vendin e lirisë e të fjalës, shpalosi talentin krijues përvecse në poezi edhe në publicistikë. Brenda disa dekada në Amerikë, ajo na ka dhënë shumëfishin e asaj c’ka krijuar më herët në Shqipëri. Është bashkëpunëtore dhe korrespodente në organet e shtypit shqiptaro-amerikan të Diasporës, si në gazetën Dielli, Iliria, gjithashtu në atdhe, Gazeta Shqip, Korca, etj, në shumë forume, web-site, gazeta dhe lista bashkëatdhetarësh online, duke sjellë potrete, reportazhe nga jeta e emigrantëve në Amerikë e më gjerë, tema sociale, kolumniste dhe opinione të ndryshme nga aktualiteti e kultura. Autore e disa vëllimeve me poezi e përkthyer në anglisht, rumanisht dhe polonisht, vëllime në prozë e publicistikë.
Shpresa Vrana- shkrimtare, esseiste dhe publiciste. Aktualisht jeton e punon në Boston, të SHBA-ës, Bashkëpunëtore dinjitoze me organet e shtypit në Diasporë, si në gazeta Iliria, Dielli, revista Kuvendi, Fjala e Lirë, Londër e në shumë website e lista internetike e gazeta të ndryshme në Shqipëri, vecmas në gazetat e Vlorës, që ka edhe origjinën. Autore e librit publicistik “Saga e një Gruaje”, -alegoria e një figuracioni të plotë që udhëton mes rreth treqind faqeve të librit. Autore e disa librave me publicistikë, prozë dhe e qindra- qindra rreshtave esseistike në shtyp.
Këze-Kozeta Zylo, gazetare e shkrimtare, bashkëpunëtore dhe korrespodente në periodikë të ndryshëm të Diasporës, median e shkruar dhe vizive, mbulon rubrikën aktualitet dhe kulturë, me artikuj, shkrime e reportazhe, në gazetat on line, gazeta Iliria, Dielli, Fjala e Lirë Londër, web-site e lista internetike, dhe operon në rubrikën intervista nëpërmjet TV lokal Albalife në State Island. Këze Kozeta Zylo është autore e disa librave me poezi dhe publicistike, bashkëthemeluese e TV AlbaLIfe dhe themeluese e disa shkollave në gjuhën shqipe në State Island të SHBA-ës.
Flutura Zavalina, -Presidente e Organizatës Jofitimprurëse “New Life”, (Jeta e Re) AACO, NY, SHBA. Editore e gazetës “Our words”, që lindi si domosdoshmëri e kohës dhe është e përjavëshme. Me anë të shkrimeve, komenteve, ngjarjeve historike reportazheve dhe profile historike, qytetare e intelektuale, Flutura sjell nëpërmjet gazetës, jetën e komunitetit shqiptar në Amerikë, Shqipëri, Londër e të shqiptarëve jashtë trungut amë.
Valentina Vila, gazetare televizive e Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës, nën logon ALBTVUSA, Detroit, Michigan, në Departamentin e Informacionit dhe përgatitjes së lajmit, spikere e lajmeve qendrore në këtë televizion. Në stafin e ALBTVUSA, bashkëpunojnë edhe dy gazetare të reja në moshë Blerina Lumaj dhe Manjola Tërshana.
Makfire Maqedonci Canolli, adhuruese e gazetarisë, e ka bërë atë që të jetë bashkëpunëtore dhe moderatore e Radio-Diaspora, në rubrikën “Heroizmi i popullit tonë në shekuj”, dhe -drejtuese e rubrikës “Me krijuesit shqiptarë në Diasporë”, e Radio Projektit e shqiptarëve të Danimarkës, -që operon në New York.
Ermira Babamusta, -editore e portalit mediatik online, Prishtina 24 orë, shkruan editorialë në rubrika të ndryshme; politikë, speciale, aktualitet, reportazhe, kulturë, intervista, analiza, koment, replika në gjuhën shqipe dhe angleze. Autore dhe experte në shkencat politike dhe marrëdhëniet me jashtë. Mbështetëse e fortë e fushtës së presidentit amerikan Barak Obama fizikisht dhe me penën e saj publicistike.
Nastila Mano, – gazetare profesioniste e Radio –Korca e Radio ABC, që përcillte me zë nëpërmjet mikrofonit emisionet dhe lajmet, kryesisht në radiofoninë modern, jeton e punon aktualisht në Florida. Është e para gazetare femër që pergatiste dhe drejtonte emisionin sportiv në TV KORCA, “Energy Sport”, dhe emisionin për rininë “Studio Kontakt”, vendlindje. Por gazetarja simpatike korcare nuk e ka ndërprerë pasionin e saj për gazetarinë edhe në mërgim. Është bashkëpunëtore e gazetës Tirana Observer, Fjala e lirë, Londër, Iliria, Kuvendi, SHBA-ës, në gazetat online, website e forume bashkëatdhetarësh, me një penë gazetarie profesionale, intensive, të sukseshme dhe të admirueshme. Gjithashtu shkrimet e saj në gazetari e publicistikë mund t’i gjeni në rrjetin social Facebook, nën profilin -Nastila’s Page.
Dr.Ruki Kondaj, -korrespodente dhe bashkëpunëtore e gazetës Iliria, Dielli, revista Kuvendi, në SHBA-ës, -Fjala e Lirë Londër, Zemra Shqiptare-Europë etj, nëpërmjet opinioneve, komenteve, reportazheve, kryesisht në rubrikat kulturë dhe aktualitet, sjell mbresa dhe moment nga jeta në komunitet. Aktualisht jeton e punon në Kanada, është Presidente e Shoqatës Shqiptaro-kanadeze dhe autore e disa librave studimorë e shkencorë.
Raimonda Moisiu -Sade është një autore shqiptaro-amerikane, poete, romanciere, tregimtare, eseiste, përkthyese, gazetare e pavarur dhe një aktiviste për të drejtat e grave në egzil dhe një publiciste e njohur bashkëkohore, sociale dhe realiste.
Mbas përfundimit të studimeve për Gjuhë Angleze dhe Letërsi në Universitetin e Tiranës, Albania, ajo punoi si mësuese e gjuhës angleze për disa vite në rrethinat dhe qytetin e Korcës, vendlindjen e saj.
Raimonda Moisiu -Sade njihet si “një nga autoret më të lexuara dhe më me ndikim në komunitetin shqiptaro-amerikan, në rrjetet sociale dhe në mërgim, letrat shqipe dhe letërsinë shqipe të Diasporës.
Raimonda Moisiu-Sade ka qenë për dy mandate Kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë. Me ardhjen e saj në krye të saj, Shoqata pësoi një ngritje përmes aktiviteteve të shumta promovuese. Ajo hodhi idenë e mbajtjes së një simpoziumi shkencor për letërsinë dhe ishte ajo që zhvilloi për herë të parë simpoziumin e titulluar; “Letërsia dhe roli i saj në Diasporë”, një organizim që promovoi dhjetra e dhjetra shkrimtarë e poetë të njohur kombëtarisht dhe në egzil. Janë të njohura dhe të publikuara në median shqiptare dhe atë shqiptaro-amerikane dhe të Diasporës shqiptare kudo që gjendet, eventet madhështore të emërtuara, “Audiencë me shkrimtarë e poetë”, ku në qendër ishin profile krijuese të njohur të Letrave Shqipe dhe në Letërsinë e Diasporës. Si Kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Raimonda afroi shkrimtarët me akademikët, intelektualët me pedagogë të njohur amerikanë dhe shqiptarë në fusha të ndryshme, pasi shumë prej këtyre veprimtarive letrare, shkencore dhe atdhetare, zhvilloheshin në mjediset e universitetit Monroe, Bronx, Neë Jork USA, dhe i shëndrroi auditorët e kolegjit Monro, të flitej shqip, dhe të dëgjohej shkrimtaria dhe letërsia shqipe, për orë të tëra. Raimonda Moisiu e shtriu poezinë dhe Letërsinë e Diasporës edhe përtej Neë Jorku-t te Ditët e letërsisë shqipe në Miçigan, organizuar nga publicisti dhe botuesi i njohur i Revistës “Kuvendi” Pjetër Jaku. Ku Raimonda Moisiu do të merrte pjesë për vite me rradhë dhe do të përvetësonte krijimtarinë poetike dhe letraro-artistike, e cila është vlerësuar denjësisht me cmime kombëtare e ndërkombëtare. Do ta kujtoj gjithmonë si krijuesen modeste që krijimtarinë e saj e pa gjithmonë si proçes integrues i shkrimtarëve shqiptarë në mërgatë pa vënë kurrë në qendër veten e saj, por duke sjellë gjithmonë bashkë krijuesit dhe lëvruesit e letrave shqipe.
Dashamirësia për artin dhe letërsinë e kanë bërë një autore shumë prodhimtare, me dhjetra botime në publicistikë, proza letrare, vëllime me poezi, përkthime, esse, opinione, kritika letrare, ngjarje të jetuara, intervista, etj.
Kryesisht prej disa dekada vazhdon të merret me krijimtari në lëvrimin e të trejave zhanreve; poezi, publicistikë, prozë, esse dhe kritika letrare. Për kontributin qytetar e intelektual është vlerësuar nga Bashkia e qytetit të Hartfordit CT USA, ku jetoi për 17-ë vjet me Official Citation si: ”Gruaja e Vitit në komunitet”, dhe që prej vitit 2005 aderoj në Partinë Demokratike Amerikane. Është bashkëpunëtore e rregullt me statusin e Freelancer (gazetare e pavarur) e gazetës Fjala.Al, Americaneye.al alias Tirana Observer dhe Albanian Daily News që del në gjuhën angleze, në Shqipëri, Fjala e Lirë, Albanianews, Londër, Iliria, Dielli, revista Kuvendi, në SHBA-ës, dhe korrespodente në organe periodikë të ndryshme të shypit shqiptar online, ëebsite dhe lista internetike, në atdhe, Kosovë, Greqi, Kroaci, me shkrime profil, opinione me tema sociale vecmas asaj për dhunën ndaj gruas e fëmijëve, këndvështrime e kritikë letrare, reportazhe, rubrikën aktualitet, kulturë dhe intervista,
Edhe unë Raimonda Moisiu, si autorja e këtij shkrimi dhe pjesë e komunitetit të gazetareve femra në Diasporë, -si shkrimtare dhe publiciste, gazetare e pavarur, më lejoni të shtoj disa rreshta: “Jam vlerësuar nga kolegë, institucione të ndryshme të medias e shtypit shqiptar e dashamirës të artit e letërsisë, që më kanë dhënë forcë e kurajo të vazhdoj dhe të ndjehem e motivuar për të shkruar në vazhdimësi. Falë angazhimit tim në publicistikë kam mundur e pasur nderin të njoh e të bashkëpunoj me shumë njerës me prirje të forta qytetarie e intelektuale dhe të jem e privilegjuar të përfaqësoj gruan publiciste në Diasporë.
Vetë puna dhe shëmbulli i këtyre grave, janë dëshmi e gjallë e aftësive, kontributit e inteligjencës, sakrilegjit të vetvetes për lirinë e shtypit që mbartin në vetvete ato, -gazetaret që në emër të lirisë së shtypit sakrifikojnë lirinë e tyre dhe përcjellin pjalmin e jetës.
Jemi forcë e madhe!
Shkruar nga Raimonda Moisiu-Sade
Jacksonville Florida USA
*Shkrimi “Gazetaret femra shqiptare në SHBA dhe Diasporë, -sakrilegj i vetvetes, për fjalën e lirë…”-është botuar për herë të parë në shtypin shqiptar dhe atë shqiptaro-amerikan në vitin 2014.
Kësaj here shkrimi vjen i rishkruar nga vetë autorja.