Pak orë pas mbërritjes në Tiranë, pjesëtarët e grupit të dytë të afganëve, të cilët janë strehuar në konviktet e “Qytetit Studenti”, duket se ndihen më të sigurt dhe më të qetë.
Mes refugjatëve, që janë tashmë në vendin tonë, është edhe ky gazetar, i cili shprehet i çliruar nga frika e terrori i talebanëve.
“Jam mirë. Situata në Kabul është shumë e keqe. Jam gazetar, njësoj si ju, është mirë këtu. Është dita ime e parë këtu dhe për kolegët e mi, plani ynë është të rrimë këtu për disa ditë dhe me pas do shkojmë në vende të tjera.”
Momentalisht, gjendja e tyre psikologjike duket e rënduar, për shkak të luftës në Afganistan, ku talebanët tashmë kanë kontrollin. Mjafton vetëm fjala taleban që ata të heshtin, pasi të flasësh për ta është e rrezikshme.
“Situata në Kabul është shumë e keqe, por unë shpresoj që të bëhet më mirë. Mund të qëndrojmë këtu për 10 orë dhe më pas do të transferohemi. Jemi studentë”, thotë një prej tyre.
Dy të rinjtë janë pjesë e grupit prej 154 personave, që mbërritën gjatë natës, të cilët janë vendosur përkohësisht në vendin tonë.
Policia e Tiranës dhe strukturat e rendit në Policinë e Shtetit, bashkë me policinë kriminale, sigurojnë perimetrin e 2 godinave ku janë akomoduar shtetasit afganë, ndërsa do të shtohen patrullimet dhe survejimet e zonës, si nga efektivë me uniformë, ashtu edhe nga civilët.
Prej ditësh, në Qytetin Studenti janë bërë gati disa godina, ku do të strehohen përkohësisht shtetasit afganë, sipas statusit të tyre. Familjet kanë një dhomë të veçantë, ndërsa miq shokë apo të njohur janë akomoduar në dhoma të përbashkëta.