Shqipëria vihet në shenjestër të televizionit shtetëror rus si bashkëhartuese me Shtetet e Bashkuara e rezolutës së miratuar me shumicë të gjerë votash në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që dënon Rusinë për aneksimin e 4 rajoneve ukrainase.
Vladimir Soloviov, propagandist i Vladimir Putin dhe drejtues i një emisioni mbrëmjeje në kanalin e parë të televizionit shtetëror rus Russia 1 ironizon rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit.
“Qenka një vend i quajtur “Shqipëri” që ishte aq i vrazhdë sa nuk donte të lejonte Rusinë, një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, në shkelje të të gjitha normave, të mos shprehte qëndrimin e saj. Dhe ne shkuam e mbyllëm gojën”, tha Soloviov.
Ai habitet se si Moska nuk i ka vendosur ende sanksione Shqipërisë.
“Ku janë sanksionet ndaj këtij vendi me emrin Shqipëri?”, pyeti ai/
Soloviov i njohur ndërkombëtarisht si mbështetës i Putin, shquhet për qëndrime të mbuluara me propagandë. Madje në një nga puntatat më të fundit të emisionit të tij ‘Mbrëmje me Vladimir Soloviovin’ ai bëri edhe thirrje që Rusia të godasë sa më shpejt vendet e NATO-s me raketat shkatërrimtare Sarmat.