Gazetari Denis Dyrnjaja pas një debati, është nervozuar dhe e ka përzënë nga studioja e emisionit “Top Talk”, të ftuarin e tij Marash Logu.
Ky i fundit i cili është këshilltar ligjor i Partisë Demokratike u ankua fillimisht për kohën televizive.
Sipas Logut, Dyrnjaja nuk po i jepte kohën e duhur për të folur në lidhje me temën e inceneratorëve.
Njëra fjalë çoi në tjetrën dhe Dyrnjaja i tha Logut se po sillej si kamikaz. Në fund gazetari e nxori të ftuarin e tij nga studioja.
DEBATI:
Logu: Zoti Dyrnjaja, ju lutem unë kam 10 minuta që jam në studion tuaj, nëse nuk doni që të zhvilloj një bisedë me ju më thoni pasi dhe unë kam punët e mia. Unë duhet të them mendimin tim, për shkak se unë bëra një parantezë dhe për shkak të kësaj doni të çensuroni të gjithë fjalën time ju lutem shumë..
Dyrnjaja: Mos u kompleksoni, mos u kompleksoni nga kjo gjë.
Logu: Nuk po kompleksohem për asgjë, më respektoni për prezencën dhe për atë që përfaqësoj.
Dyrnjaja: Kur të jap fjalën, më lejo ta moderoj.
Logu: Po pra me respekt për të ftuarit, ndjesë që po ta them këtë se jeni gazetar me eksperiencë.
Dyrnjaja: Mua me thënë të drejtën më ndodh në herën e parë pas 4 vitesh në këtë eksperiencë që të më vijë një kamikaz dhe të më bëjë një gjë ndryshe në televizion. Për respekt të etikës televizive të mos e vazhdojmë më.
Logu: Të ftuarit vijnë, kundërshtojnë po jo ti quani kamikaz. Dhe unë mund t’ju them kamikaz i medias, çfarë do të thotë kjo, e para kërko falje se është ofendim t’i thuash dikujt kamikaz
Dyrnjaja: Unë nuk do të kërkoj falje për këtë rast.
Logu: Ti nuk mund të më censurosh fjalën time zotëri, nëse nuk është me interes dakord.
Dyrnjaja: Uljani zërin zotërisë, të lutem mund të largohesh nga studio, të lutem mund të çoheni nga studio.
Logu: Nuk mund të vini të bëni këtë gjë.
Dyrnjaja: Faleminderit, nesër do të shihemi prapë bashkë.