Aktualitet Gazetari norvegjez: Si u konvertova në fenë islame pas luftës në Kosovë

Gazetari norvegjez: Si u konvertova në fenë islame pas luftës në Kosovë

Për tre dekada rresht, ai mbulon luftërat në një anë tjetër ndryshe nga gazetarët dhe regjisorët e tjerë. Ai është futur brenda grupeve të ashtuquajtura terroriste, duke i njohur nga brenda ato.

Gjatë intervistës ekskluzive për “Tonight Ilva Tare”, Paul Refsdal tregon momentin kur u angazhua si gazetar lufte tre dekada më herët.

Gazetari norvegjez rrëfen se si u konvertua në fenë myslimane menjëherë pas luftës në Kosovë.

-Çfarë ju bëri juve të konvertoheshit në mysliman?

Paul Refsdal: Është pak e ngatërruar. Filloi me udhëtimin tim në Çeçeni, në vitin 1999 pas luftës në Kosovë. Pashë disa gjëra atje që më bënë të mendoja ndryshe ndaj myslimanëve. Nisi si një proces. Kur isha me talebanët në udhëtimin e parë, po i thoja komandantit që doja të konvertohesha në mysliman dhe më pas në një udhëtim tjetër me talebanët, më morën peng dhe një nga kushtet e pengmarrësit, ishte të konvertohesha në mysliman.

-Ishte kusht?

Paul Refsdal: Po, vuri disa kushte. Më tha se ose do shkëmbehesh me disa të burgosur, ose për para, ose do konvertohesh në mysliman ose do të presim kokën. Opsionin e katërt nuk e pëlqeva shumë.

-Zgjodhe të tretën…

Paul Refsdal: Po, mund të thuhet që është oportuniste, në një kohë të mirë apo të keqe por u konvertova dhe që atëherë jam një mysliman.

-Ndiheni mysliman? Jeni praktikant?

Paul Refsdal: Po, e praktikoj islamin. Por shoh disa të konvertuar që tentojnë të jetë paksa ekstremistë. Sikur duan të kompensojnë faktin që nuk kanë qenë myslimanë për vite të tëra duke qenë ekstra ekstra myslimanë. Unë nuk jam një nga këta. Unë jam ende një qytetar evropian, jetoj në vendin tim, në Norvegji dhe nuk shoh ndonjë problem të jesh mysliman në Evropë, nuk shoh kontradikta të mëdha.

-Çfarë ju thonë miqtë në Norvegji tani që e dinë që jeni një mysliman?

Paul Refsdal: Njerëzit nuk e kanë problem. Bëjnë disa shaka, gjëra me proshuta derri apo me alkool por nuk më intereson.

-Nuk konsumoni aspak alkool?

Paul Refsdal: Jo, jo dhe nuk më mungon.

-E morët këtë vendim sepse donit të ishit pjesë e këtij grupi? Sepse është më e lehtë për ta t’ju pranojnë nëse jeni mysliman?

Paul Refsdal: Nuk e di nëse në atë moment ky ka qenë qëllimi por mendoj se është pasojë fakti që është më e leht për ta të më pranojnë. Sigurisht që është më e lehtë për mua t’i kuptoj. Duke qenë mysliman, duke njohur fenë, mund të bëj diskutime fetare me ta që herë pas herë shumë interesante

-E keni menduar ndonjëherë të bashkohemi me këto grupe?

Paul Refsdal: Jo

-Do ta bënit në të ardhmen?

Paul Refsdal: T’i bashkohem grupeve? Jo

-A ndiheni aq i përfshirë sa mund t’i bashkoheni kauzës së tyre?

Paul Refsdal: Qëllimi im, siç e shoh tani është t’i tregoj shoqërisë perëndimore se si janë në të vërtetë armiqtë tanë. Kjo është gjëja kryesore që mund të bëj, të përpiqem t’i tregoj jetën e përditshme të armiqve tanë dhe në një farë mënyrë t’i bëj ata njerëzorë. Sepse është shumë e thjeshtë t’i bësh çnjerëzorë këto lloj grupesh si shteti islamik apo Al-Qaeda, i bësh çnjerëzorë dhe t’i demonizosh, që na e lehtëson punën për të luftuar kundër tyre. Përpiqem të jem disi, zëri i pjesës tjetër, për t’i treguar njerëzve që gjërat nuk janë domosdoshmërish ashtu si mendojnë ata që janë.

-Ju keni shpenzuar disa kohë me talebanët. Sa kohë? Keni ndonjë ngjaje që doni ta tregoni?

Paul Refsdal: Nga pengmarrja?

-Po, ishte e tmerrshme si eksperiencë?

Paul Refsdal: Është e frikshme kur thonë se do të ta presin kokën

-Ishit me njerëz të tjerë apo vetëm?

Paul Refsdal: Kisha një përkthyes.

-Një përkthyes vendas

Paul Refsdal: Po, por e gjithë situata u kthye si një shkaka sepse në fillim më thonin, do të presim kokën, do më filmonin dhe do e transmetonin kudo etj dhe më pas filluan të flisnin për para dhe kuptova se kjo ishte një kërcënim idiot për të bërë para. Ajo që ndodhi ishte se komandanti më i ri që më mori peng, donte para sepse donte të kishte një grua të dytë

-Dhe donte ta blinte?

Paul Refsdal: Po!

-Ishit me fat që nuk ishin terroristë të vërtetë? Që ishin vetëm kriminelë ordinerë?

Paul Refsdal: Po, por nuk bëhet fjala për fat apo jo sepse ai ishte një luftëtar taleban, më ftoi në zonën e tij dhe qëllimi i tij ishte të më merrte peng. Në fakt nuk mori para nga unë.

-A u përfshi edhe qeveria norvegjeze? Apo ishte çështje personale?

Paul Refsdal: Ata u përfshinë por kishte shumë gjëra që ndodhnin. Mua më lejohej të telefonoja për të marrë paratë, ata kërkuan 500 mijë dollarë dhe pas pak kohësh vendosëm për 20 mijë dollarë. Telefonova një mik në Al-Jazeera, dhe ai telefonoi lidershipin taleban dhe ata filluan të telefononin pengmarrësit. Pra ata u përfshinë, qeveria norvegjeze u përfshi, sigurisht që qeveria norvegjeze tha se do t’i sillte paratë por nuk i solli paratë por pas 6 ditësh u lirova. Ai që më mori peng mua, pas 1 muaji, mori peng një gazetar britanik nga The guardian dhe mendoj se mori paratë dhe gruan e tij të dytë.

-Ishte me fat herën e dytë kur mori peng gazetarin britanik…

Paul Refsdal: Mendoj se nxori mësime nga unë. E gjithë ngjarja ishte një shaka

-Ndoshta ju i shihni këto gjëra si shaka sepse duken të tmerrshme nëse i sheh nga këndvështrimi perëndimor…

Paul Refsdal: Po, por unë e di se çfarë është me të vërtetë e rrezikshme dhe çfarë nuk është. Në një luftë ka shumë gjëra absurde që ndodhin dhe kjo ishte një nga ato.

-Ju keni qenë në Sri Lanka, Kosovë, Peru, Çeçeni, Afganistan për filmin e fundit që do të flasim pas pak, Dugma, (Butoni). Cila ka qenë eksperienca më e vështirë?

Paul Refsdal: Për sigurinë time?

-Siguria personale, filmi që keni përgatitur….

Paul Refsdal: Për sa i përket sigurisë sime, ka qenë në Sri Lanka sepse isha në një varkë të mbytur në mes të oqeanit dhe nuk kishte gjurmë toke. Në fillim varkat rreth meje nuk donin të më merrnin, largoheshin sepse kishin frikë. Është gjithmonë sjhumë e vështirë për të bërë projektet, filmat apo raportimet. Gjithmonë ka qenë një betejë. Është një meritë për mua duke qenë e vështirë sepse nëse do të kishte qenë e lehtë, të gjithë gazetarët do ta kishin bërë.

***

 

Teksa flet për plagosjen në Pashtrik të Kosovës dhe qëndrimin tremujor në spitalin e UÇK-së, gazetari bën edhe një deklaratë ndryshe nga se jemi mësuar ta dëgjojmë nëpër mediat botërore, duke theksuar se etiketimet për grupet luftuese bëhen sipas interesave.

“Ne e etiketojmë si luftëtarë të lirisë dhe nëse është kundër interesave tona, i etiketojmë terroristë”, thotë ai.

Ai tregon se si është futur në listën e bardhë të organizatës terroriste Al-Qaeda.

-Është kënaqësi, u mundova të kërkoja në historinë tuaj dhe m’u duk interesante që ishit përfshirë në 3 dekadat e fundit në luftëra të ndryshme në të gjithë botën. Si ndodhi?

Në vitin 1984 sapo përfundova ushtrinë dhe doja të bëja diçka për rebelët afganë. Ata luftonin kundër pushtimit sovietik në atë kohë dhe dikush më sugjeroi që duhet të shkoja si gazetar. E di që është justifikimi më i keq i mundshëm të jesh gazetar por ngeca tek gazetaria.

-Duket shumë e lehtë mënyra si e përshkruani ju?

Paul Refsdal: Në një farë mënyre krijon varësi ndaj saj. Unë shkoj bashkë me rebelët, bashkë me rreshterët, bashkë me Tigrat e Tamilit, me UÇK, me rebelët çeçenë. Shkoj me pjesën e dobët dhe është një lloj tërheqje sepse ata janë pjesa më e dobët që luftojnë një fuqi më të madhe dhe zakonisht luftojnë për pavarësi apo çlirim

-Është e rrezikshme?

Paul Refsdal: Sigurisht

-Keni patur ndonjëherë frikë?

Paul Refsdal: Po, shumë herë

-Jeni plagosur një herë…

Paul Refsdal: Po, një herë në Kosovë, në Pashtrik. Shkova me UÇK dhe isha shumë i pafat sepse në orët e para në Kosovë u plagosa, kështu që mu desh të qëndroja në spitalin e UÇK për 3 muaj e gjysmë, në Kosovë gjatë luftës.

-Do flasim më tej për Kosovën, luftën dhe çfarë po ndodh tani në atë vend. Sërish më duke interesante tërheqja për të shkuar për të raportuar nga këto grupe që zakonisht konsiderohen terroristë. A keni një dilemë morale se mbase jeni duke bërë propagandë për ta?

Paul Refsdal: Kjo është diçka që e mësova shumë shpejt. Ne e etiketojmë një grup sipas interesave tona. Ne e etiketojmë si luftëtarë të lirisë dhe nëse është kundër interesave tona, i etiketojmë terroristë. Në të vërtetë nuk e vras mendjen për këto etiketime politike. Unë dua të shoh pse po luftojnë dhe si po luftojnë dhe nuk më intereson se çfarë thotë qeveria thotë për ta apo çfarë thotë qeveria e SHBA për ta.

-Pse mendoni se ata ju lejojnë juve? Sepse ju jeni i lidhur me ta, dhe ka disa kritika gjithashtu për gazetarinë e lidhur, edhe për gazetarët amerikanë që janë lidhur me ushtrinë amerikane. Si ndiheni? Si i përgjigjeni këtyre kritikave?

Paul Refsdal: Nuk mendoj se lidhja me një palë është mënyra e vetme e mbulimit të një lufte por e redaktorit. Ai duhet të balancojë stafin, ata duhet të kenë gazetarë në të dy krahët dhe gazetarë që mbulojnë qytetarët. Unë jam një ndër gazetarët e pakët që mbulojnë rreshterët. Unë mbuloj vetëm ata ndërsa shumë të tjerë mbulojnë ushtrinë, pra në një farë mënyre krijohet një balancë.

-Përse ju pranojnë si pjesë e luftës së tyre?

Paul Refsdal: Zakonisht është e vështirë të bindësh njerëzit që luftojnë në një luftë, që duhet të marrin edhe gazetarë me vete sepse nuk është ky qëllimi madhor. Është ndryshe me grupe të ndryshme. Të duhet një kohë e gjatë dhe duhet të flasësh me ta, t’i bindësh të të marrin me vete dhe në fund zakonisht të marrin me vete.

-Sa gjatë shkon kjo negociatë zakonisht dhe ju jeni personi direkt që flisni me ta apo keni dikë që negocion për ju? Kërkojnë ata para?

Paul Refsdal: Jo, ata nuk kërkojnë kurrë para, askush në grupet rreshtere nuk kërkon para. Mund të duhet një kohë shumë e gjatë, ndonjëherë është shumë e lehtë nëse u duket me vend të marrin edhe gazetarë me vete. Por zakonisht duhet një kohë e gjatë me grupin e Al-Qaeda. U përpoqa të kontaktoja me ta që nga viti 2013 dhe në fund të vitit 2014 më dhanë leje për të shkuar me ta, pra mori shumë kohë.

-Çfarë bëjnë? Kontrollojnë të shkuarën tuaj? Si ju pranojnë? Ju ishit në librin e tyre pasi vdiq Bin Laden, i besuari i tyre…

Paul Refsdal:  Po. Kur vranë Bin Ladenin, i morën kompjuterin dhe publikuan gjithë letrat e tij dhe në një nga letrat po flisnin për strategjinë mediatike dhe thonin se në Evropë kemi këtë gazetarin norvegjez që filmon talebanët që tregon se ata janë qenie njerëzore, që luajnë, kanë fëmijë etj. Me sa duket jam në listën e bardhë të Al-Qaedas. Kur doja të shkoja në Siri me Al-Qaedan, mu desh të përfshija një kopje të asaj letre dhe t’u thoja “shiko, kam qenë në letrat e Osama Bin Ladenit”.

-Si ju bën të ndjeheni, të jeni në listën e bardhë të Ql-Qaedas?

Paul Refsdal: Është normale, për sa kohë është për arsyet e duhura. Nëse në letër do të thuhej se ky gazetar po i jep njerëzve tanë shumë para dhe mbështet vrasjen e civilëve, sigurisht nuk do të ndihesha mirë. Por aty përmendet sepse bëra një film ku tregova se edhe këto grupe të cilat janë demonizuar nga perëndimi,  janë qenie njerëzore, atëherë është në rregull.

-Por nuk janë vetëm qenie njerëzore, janë gjithashtu edhe terroristë. Ata vrasin njerëz të pafajshëm…. Si e zgjidhni këtë dilemë, këtë problem moral që ekziston atje?

Paul Refsdal: Po! Sigurisht që ka një problem moral të shkosh në luftë sepse ka njerëz që vrasin njerëz të tjerë. Si një ish-ushtar, nuk e kam shumë problem këtë. Dua të them

-S’e keni problem të vrisni?

Paul Refsdal: Jo, jo, po them që disa njerëz vrasin njerëz të tjerë në një luftë. Nga plagosja në Kosovë, nuk fajësoj njeriun që shkrepi armën drejt meje sepse kjo është lufta. Për sa kohë sa ata nuk sulmojnë civilë, nuk e kam problem të mbuloj një grup, dhe një grup me të cilin shkova në Siri, vranë civilë por më shumë aksidentalisht.