Mbrëmjen e së enjtes, Andi Maloku, shoferi i prokurorit Arjan Ndoja, ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës. Gjashtë ditë pas atentatit që ndodhi më 1 Nëntor në autostradën Tiranë-Durrës, Andi Maloku nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të rënda. Plumbat i kishin prekur mushkërinë dhe shtyllën kurrizore shoferit të prokurorit Ndoja.
Ndërkohë një lidhje direkte në emisionin Opinion, gazetari Spartak Koka ka treguar se policia po zhvillon një operacion në jug të vendit për të arrestuar personin e dytë, i dyshuar si i përfshirë në këtë ngjarje.
“Aktualisht ka hetime intensive që po shtrihen në disa qytete të vendit. Përqendrimi i një grupi të policisë është në qytetin e Lushnjës, në Karbunarë ku dyshohet se qëndron njëri prej personave që të ketë dijeni për atentatin. Ai është shtetasi J.S. Është eksponent i njohur i botës së krimit, jeton mes Durrësit dhe Lushnjës. Ka njohje më një grup rival të Pëllumb Muharremit. Përpara disa kohësh i janë sekuestruar rreth 70 mijë euro dhe automjet me vlerë 100 mijë euro”, tha gazetari Koka.
Ndërkohë, për këtë rast kohë më parë policia njoftoi se i kishte sekuestruar 70 mijë euro dhe automjetin me vlerë 100 mijë euro shtetasit, Julian Sulo, i njohur ndryshe si “Juli i Pashakos”, shkruan Opinioni.
Po ashtu detaje gazetari ka dhënë edhe për vajzën e Show Bizz-it që është marrë në pyetje për atentatin.
“Vajza e Show Bizz-it është shoqëruar mbrëmjen e së martës dhe është mbajtur për 10 orë në policinë e Tiranës. Është marrë në pyetje për lëvizjen dhe aktivitetin e shtetasit Redjan Raja”, tha gazetari.