Gazetari shqiptar Artur Bibe në Greqi ka treguar se presidenten e parë grua që u zgjodh në Greqi e ka fqinje dhe si e njeh ai.
“Presidentja e re banon në zonën ku mbipopullohet nga shqiptarët, ku nisën autobusët e Shqipërisë.
Ka çdo ditë të bëjë me shqiptarët, një shqiptar i pastron shtëpinë, e kemi komshije, unë nuk e mbaja mend me thënë të drejtën, thoja ku e kam parë, ku e kam parë, po më vonë e kujtova që pimë kafe në të njëjtin lokal.
Është shumë popullore, e çliruar nga të gjitha ngarkesat negative, gjithë emigrantët i sheh si njerëz, jo si pjesë e huaj e komunitetit, bile ka bërë shumë lëvizje që të integrohen në shoqërinë greke emigrantët.
Edhe si individ është njeri pozitiv”, tha Bibe për Top Channel, duke zbuluar disa detaje të jetës së përditshme të presidentes së parë grua në Greqi, Katerina Sakellaropoulou.
I pyetur nëse i ka rënë rasti t’i japë ndonjë kafe presidentes greke, ai tha: “E pinim kafen rregullisht në të njëjtin lokal e vrisja mendjen ku e njoh, pyeta edhe kamarieren, moj ku e njoh unë këtë, është ajo zonja që vjen me atë plakun.
Atje ku ulet të krijon idenë e njeriut që nuk ka probleme, se këtu kryetarët e gjykatës ruhen shumë dhe presidentja s’ka lëvizur me roje, është një teatër ngjitur me kafen, shkon atje rregullisht, ka një mace, ka një qen”.