Gazetari Eni Ferhati ka zbardhur të tjera detaje për vrasjen e Behar Sofisë më 25 Shkurt në kryeqytet, ngjarje për të cilën janë arrestuar 4 persona, mes të cilëve edhe ekzekutori.
I ftuar në studion e emisionit Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, gazetari Ferhati u shpreh se Xhuliano Visha 28 vjeç është shoku i ekzekutorit Ernejt Shyti 24 vjeç. Sipas tij, do të duhej që ekzekutimin ta kryente pikërisht Visha, por ky i fundit dyshonte se ishte pikasur nga rojet e sigurisë së ndërtesës ku banonte viktima. Për këtë arsye, ai kishte nënkontraktuar shokun e tij, Ernejt Shytin, që të kryente ekzekutimin e Behar Sofisë.
Sipas gazetari Ferhati, hetuesit do të duhen të fokusohen edhe tek Skënder Vathi 54 vjeç, si personi kyç nga 4 të arrestuarit në rolin e organizatorit, nga i cili mund të mësohen porositësit e këtij ekzekutimi.
Spartak Koka: Përse nuk e realizoi ekzekutimin Xhuliano Visha? Ky person e kishte marrë i pari, sipas Prokurorisë, ta kryente këtë ngjarje. Përse nuk e ka realizuar?
Eni Ferhati: Sipas dosjes hetimore, rezulton se Xhuliano Visha ka patur frikë që ta kryejë ai për shkak se këta persona kanë qenë në ndjekje më herët dhe kanë mbajtur në vëzhgim Behar Sofinë, por ka patur dyshime se ai është pikasur nga një nga rojet privatë të sigurisë së objektit ku banonte viktima dhe për këtë lloj arsye ai ka menduar që të përfshijë në këtë ekzekutim edhe Ernejt Shytin.
Spartak Koka: Është bërë pagesa kundrejt Ernejt Shytit nga ana e nënkontraktorëve?
Eni Ferhati: Ai ka marrë një pjesë të vogël të parave. Do të merrte pjesën tjetër më pas. Policia dhe Prokuroria po tentojnë që në këtë ngjarje të kemi dhe një bashkëpunëtorë të drejtësisë. Ernejt Shyti ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë vetëm për pjesën që ai është në dijeni. Ka vënë në dispozicion edhe telefonin që policia i ka sekuestruar kur kanë gjetur disa biseda në Messenger por edhe mesazhe të thjeshta lidhur me mbikëqyrjen që kanë bërë, të tipit fjalë “doli”, “po del” ose të kësaj natyre. Personat e tjerë nuk kanë pranuar që të bashkëpunojnë dhe kanë mohuar përfshirjen e tyre në këtë ngjarje. Personi kyç i cili duhet të fokusohen dhe hetimet e Prokurorisë dhe policisë për të zbardhur ngjarjen dhe porositësit e vërtetë është Skënder Vathi, i cili është edhe në rolin e organizatorit. Gjithashtu është një person që është arrestuar edhe më herët.
Spartak Koka: Çfarë pritet të ndodhë me këtë çështje?
Eni Ferhati: Prokuroria e Tiranës me shumë gjasa do të shpallë moskompetencë dhe do t’ia kalojë çështjen Prokurorisë së Posaçme. Me marrjen e dosjes nga SPAK hetimet do të thellohen. Duhet punuar për të thyer një nga personat e tjerë të përfshirë në këtë ngjarje. Ndërkohë që edhe Ernejt Shytit besoj do t’i ofrohet statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë për t’i siguruar atij mbështetjen, pasi mos harrojmë që përfshirja në ngjarje të tilla mund të sjellë pasoja edhe për familjen e tij apo për rrethin e ngushtë shoqëror.
“Shënjestra doli”, gazetari: Leonard Xhixha, personi që njoftoi ekzekutorin e Behar Sofisë
Nga hetimet e deritanishme të policisë dhe Prokurorisë, rezulton që ekzekutori i Behar Sofisë, Ernejt Shyti, të jetë njoftuar nga Leonard Xhixha 30 vjeç që shënjestra doli nga banesa.
Kështu ka deklaruar gazetari Eni Ferhati. Sipas tij, Leonard Xhixha ka qenë në zonën ku u vra Behar Sofia pranë ETC-së ditën e ngjarjes, megjithëse nuk është kapur nga kamerat e sigurisë. Por është vendndodhja e tij aty është zbuluar nga qelizat e celularit të tij.
Eni Ferhati: Policia, në dijeninë time, ka arritur që të identifikojë shtetasin Leonard Xhixha si personin që në këtë orë ditën e ngjarjes ka qenë në këtë zonë, ndonëse nuk është kapur nga kamerat e sigurisë, rezulton që të jetë personi i cili ka njoftuar edhe Ernejt Shytin që doli. Dhe mesa duket 24-vjeçari ka dashur që të ketë një kontakt sa më të afërt me shënjestrën e tij për të bërë dhe identifikimin e viktimës.
Spartak Koka: Përse çalon?
Eni Ferhati: Kjo ka qenë një maskim do të thoja nga ana e vrasësit me pagesë për t’iu shmangur identifikimit. Vijon të çalojë gjatë gjithë kohës dhe mesa duket ka qenë një manovër e tij pasi gjatë mbikëqyrjes së vendit të ngjarjes, autorët dhe personat e tjerë kanë kuptuar që zona është e monitoruar nga kamera dhe kanë dashur që …
Spartak Koka: Diku këtu rreth e rrotull mund të ketë qenë Leonard Xhixha që ka monitoruar daljen e Behar Sofisë.
Eni Ferhati: Këto janë vetëm pamjet që janë vënë në dispozicion, por policia mund të ketë dhe pamje të tjera të Leonard Xhixhës që e vërtetojnë. Por dhe nga qelizat telefonike ka rezultuar ai ditën e ngjarjes ndodhej në atë zonë. Autori çalon jo vetëm në pjesën kur ekzekuton shënjestrën. Në fakt Behar Sofia vijon rrugën i qetë, nuk e ka vënë re fare praninë e tij.