Gazetarja ruse Daria Aslamova është shpallur person non-grata edhe autoritetet ia kanë ndaluar hyrjen për disa vite në Kosovë. Ky është vendimi i shpallur nga ana e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla nëpërmjet rrjeteve sociale.
“Si Ministër i Punëve të Brendshme, brenda kompetencave të mia ligjore, bazuar në Ligjin për të Huaj, Nenet 17 dhe 66 A, kam shpallur person të padëshirueshëm në Republikën e Kosovës, Daria Asmalovan. Hyrja e këtij personi është e ndaluar për pesë vite në territorin e Republikës së Kosovës”.
Ministri i Brendshëm thekson më tej se kushdo që me qëllime apo direktiva të caktuara cënon apo tenton të destabilizojë vendin tonë, do të përballet pa diskutim me forcën e ligjeve të Republikës së Kosovës.
Sveçla ka publikuar në faqen e tij në Facebook disa foto të gazetares me ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov dhe një tjetër me presidentin sirian Bashar al-Assad ndër të tjera.
Por në mëngjesin e së dielës, më 7 Gusht, gazetarja ruse u tha redaktorëve të gazetës së saj se ishte liruar natën dhe kishte arritur ë qytetin serb të Rashkës. Ndërsa largimi drejt Serbisë lidhet edhe me faktin se ajo tashmë është shpallur si non grata nga qeveria e Kosovës.
Ndërkohë që mediat ndërkombëtare i kanë bërë jehonë lajmit të ndalimit të gazetares ruse Daria Aslamova ne Kosovë. Agjencia Rojters shkruan se gazetarja që punon për Komsomolskaja Pravda u ndalua për spiunazh gjatë udhëtimit me autobus në kufirin verior me qëllimin për të ndjekur lajmet më të fundit në Kosovë.