I dashur Aleksi, pashë që e pritët Amirin dhe i dhatë atij flamurin grek. Urime.
Duke parë fotografitë unë kujtoj një ngjarje personale që ka të bëjë me ne të dy.
Atëherë kur ti dole në zgjedhje për kryetarin e Bashkisë së Athinës dhe më ftove të takoheshim tek Ianó. “Dua që ti të jesh në skemën time,” më thatë.
Ti e di, unë atëherë isha imigranti barbar i civilizuar i cili shkruante artikuj në gazeta të mëdha (i vetmi imigrant, dhe që atëherë, nuk ka asnjë tjetër – për të kuptuar thellësinë e problemit). Të thashë atëherë se nuk dëshiroja të përzihesha me politikë sepse jam gazetar dhe të doja nuk mundesha sepse nuk kisha shtetësinë greke. Ti u tregove i mallëngjyer (i prekur), shumë i indinjuar.
“Kjo është e papranueshme,” më the.
Subjekt i mirë për opozitë, mendove atëherë.
Pastaj u bëre ti Kryeministër, bashkë me të ngjashmit e tu. Unë ende nuk kam shtetësi greke. Dhjetë vjet kërkesë. Kudo që shkoj për prezantime në Evropë dhe Amerikë, njerëzit reagojne te revoltuar kur ua them këtë. A nuk u vjen turp?, më pyesin. Jo, nuk kanë turp, u përgjigjem unë.
Autoritetet kanë shkelur çdo koncept dhe afat ligjor. Kanë kryer grabitje të pastër – duke më vjedhur 1,500 euro, si tarifë e detyrueshme (për të mos folur për 25 vjet të punës dhe jetës në një vend, të plaçkitura me një lehtësi të rrallë “se kështu dua unë”) dhe duke e treguar me armiqësi absolute dhe përçmimin e tyre.
Nga ana tjetër janë betuar dhe të tutë (njerëzit e tu) që do të më godasin sepse unë nuk jam nga të tutë dhe flas hapur dhe nuk rri urtë (si guxon një emigrant barbar të flasë greqisht në mënyrë të patrembur, të kërkojë në mënyrë të patrembur atë qe i takon/përket dhe të mos rrijë urtë?! Do të ta tregojmë ne, shqiptar-dreqi, i huaj-dreqi, që të marrin një mesazh/mësim dhe të tjerët!).
Dhe natyrisht jam i sigurt që ti as e mban mend atë takim ku u habite/indinjove sepse nuk kisha shtetësinë greke. Sepse thjesht u talle. Por tani ndihem unë më shumë i tallur që në vend që të isha larguar që atëherë nga vendi që ti drejton tani, i merrja seriozisht disa njerëz si puna jote. I rritur në diktaturë, mendoja me naivitet se nuk kishte mundësi që njerëzit që janë rritur në kushte normale, me mirëqenie dhe liri nuk mund të jenë mashtrues, ata thonë atë që besojnë.
Ky është shteti që keni krijuar Aleksi. Me të tillë stil dhe etikë. Përveç teje, unë kam takuar një President të Republikës dhe dy liderë partiakë, të cilët janë indinjuar ashtu si edhe ti për faktin se një person si unë nuk ka shtetësinë.
Janë tallur dhe ata sigurisht. Dhe ky shtet, më vjen keq që do e them, do të prodhojë vazhdimisht, gjithnjë e më shumë, nacionalizëm dhe racizëm. Sepse prodhon institucione të kalbura që shkelin të drejtat dhe detyrimet e mirëfillta demokratike që i bëjnë dhe vendasit të ndihen të huaj në vendin e tyre. Si mundet qytetarët që nuk kanë asnjë respekt për vendin e tyre, asnjë besim tek institucionet e tij, të respektojnë të tjerët? Racizmi dhe nacionalizmi janë “vëllezër” binjakë të “zerofikimit narcizist”.
Në thelb, njerëzit si ti Aleksi, nuk besojnë në asgjë. Ata mund të mashtrojnë për gjithçka për aq kohë sa iu del diçka që do t’i shërbejë planeve të tyre për pushtet të momentit. Të njëjtën gjë bëri dhe Samaras me Janinë. Të njëjtën gjë do bëjë dhe Kyriakos kur të vijë në pushtet me një tjetër Amir.Por karnavali do vazhdojë, shteti klientelist do të vazhdojë dhe bashkë me të dhe tallja dhe goditja e më të dobtëve, sidomos më të ndershmëve, atyre që nuk rrinë urtë dhe që nuk përshtaten me kalbësirën, dhe atyre që janë naivë (si unë) që ju marrin seriozisht.
Do të të shkruaj të tjera si këto në ditët në vazhdim. Por tani duhet të dal për të shkuar në palestër, të bëj not dhe të vrapoj. Është mburoja ime kundër depresionit të gjithë këtyre viteve, këtu në vendin e ri ku më detyruan (përsëri) të emigroja ti dhe të ngjashmit tuaj.
(Shpresoj, seriozisht këtë herë, që ky të jetë shënimi im i fundit në greqisht – të paktën përsa i takon politikës – për një kohë të gjatë) .