Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka folur për mediat pas paraqitjes së tij në zyrat e Strukturës së Posaçme (SPAK).
Bardhi theksoi faktin se u thirr nga SPAK si kallëzues për inceneratorin e Elbasanit dhe shtoi se hetimet për këtë çështje kanë përparuar.
Në lidhje me hetimet për inceneratorin e Tiranës, Bardhi u shpreh se nuk ka ndonjë zhvillim.
“Sot isha si kallëzues për inceneratorin e Elbasanit që mesa duket është duke përparuar në hetime. Kam konfirmuar kallëzimin e bërë në emër të PD dhe inkurajoj SPAK për të çuar para përgjegjësisë përgjegjësit. Deri më tani nuk ka asnjë zhvillim sa i përket inceneratorit të Tiranës.
Qytetarët presin rezultate konkrete jo vetëm për këto 3 inceneratorë, por edhe vepra të tjera korruptive. Është fakt i njohur publik, fillon nga kryeministri Edi Rama, te nëpunësit që kanë nënshkruar për koncensionin”, nënvizoi ai.